Rama: I gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik, nëse vjen Ilir Meta dhe Lulzim Basha

Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në twitter ka thënë se ai është gati të shkojë dhe vetë në Këshillin Politik nëse vjen Presidenti Ilir Meta dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, për të diskutuar për debatet e fundit.

Rama në twitter: 

PS nuk ka asnjë obligim ndaj PDLSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër ,madje megjithë OP në tryezë!

PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PDLSIOP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë,e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë,ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën!

Më herët, Presidenti Meta njoftoi se i ka kërkuar një takim kreut të PD-së, Lulzim Basha për të parë nëse ishte i hapur që kjo çështje të diskutohet në Këshillin Politik.

“Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z. Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë. Ai më njohu me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar që është bërë publik dhe u është njoftuar dhe të gjithë partnerëve të shqetësuar për të ardhmen evropiane të vendit tonë. Jam i bindur se ka kaq shumë intelektualë dhe qytetarë që ndajnë këtë shqetësim si të Prof. Kumes. Për këtë arsye po e ndaj me të gjithë ju këtë qëndrim tepër të përgjegjshëm dhe bashkëpunues të Opozitës së Bashkuar”, tha Meta.

Presidenti citoi edhe pjesë nga deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi për ta mbështetur këtë nismë.

“Nëse Partia Socialiste është vërtet e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit ti parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Çdo diskutim i tillë, sipas Marrëveshjes, nuk mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit”, u shpreh Presidenti Ilir Meta.

SHKARKO APP