Rama iu rrëfen sekretin grave të PS-së: Kam lidhje dhëndurore me Krujën

Kryeministri i vendit Edi Rama duke folur në nismën më të re qeveritare “Edhe një”, nismë kjo për të drejtat e grave dhe vajzave në vend, deklaroi se femrat sot në Shqipëri drejtojnë një sërë institucionesh ministrore, duke mbajtur mbi supe punë të rëndësishme.

Rama më tej deklaroi se nuk e dinte se në krye të Këshillit Bashkiak të Krujës ishte një grua, por shtoi se një fakt i tillë ishte një hap drejt progresit shoqëror. Edi Rama përmendi ndër të tjera se është dhëndër në Krujë.

“Një barrë e madhe e punës së qeverisë sot mbahet nga ministret që janë gra. Kur vijmë te pushteti vendor, ne kemi përcaktuar një rregull, në rast se kryetari i Bashkisë është mashkull, më e pakta nënkryetari i parë duhet të jetë grua. Sot nuk kemi zbatim të këtij rregulli. Sot para se të vija këtu, iu kam çuar një mesazh kryetarëve të bashkive që të respektojnë këtë rregull.

Gratë deputete bëjnë një punë voluminoze, në parlament dhe në terren. Territori shqiptar është i mbushur me plagë në kuptimin e refuzimit ndaj faktorit grua. PS është partia më e votuar nga gratë dhe vajzat e këtë e tregojnë të gjitha anketimet që ne kemi bërë. Në rast se në Shqipëri do të votonin vetëm gra e vajza, Partia Socialiste do të ishte me 85 deputetë. Po të votonin vetëm burrat, do të ishim rrotë më rrotë ose pak nën rrotë. Ne kemi potencial shumë të madh ende të paçliruar. Unë nuk e dija se kryetarja e Këshillit Bashkiak në Krujë është grua. Nuk e dija. Unë sa e njoh Krujën, sepse kam lidhje dhëndërore”, tha Rama.

SHKARKO APP