
Një votë më shumë të çon në Parlament, dhe kjo ka futur në një “luftë” të ethshme çdo kandidat në listë të hapur brenda së njëjtës parti. Ky fenomen po e shqetëson edhe kryeministrin, njëkohësisht kryetarin e PS, Edi Ramën.
Ai u ka treguar vijat e kuqe kandidateve të tij, ku duket se lufta ne terren për të kapur çdo votë nominale ka filluar të bëhet e ashpër, duke ndikuar edhe strukturat e partisë. Rama u ka dërguar porosi socialistëve që asnjë kandidat, qoftë edhe deputet aktual, nuk duhet të përdorë strukturat e PS të një zonë tjetër për të mbledhur vota personale.
”Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra te veta jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Deputeti është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën. Struktura është në funksion të qëllimit të përbashkët, jo për t’u bërë tabelë qitje e çdo deputeti”, tha Rama sipas A2cnn.
Po ashtu sipas Ramës, PS është më e rëndësishme se çdo deputet. ”Deputetët në listë të mbyllur nuk duhet kategorikisht të kërkojnë vota për asnjë deputet në listën e hapur, po vetëm për numrin 5. Të gjithëve duhet t‘u thonë tek vota preferenciale jeni të lirë! Po ashtu deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë, e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën”.
