Rama: Kemi gjithnjë e më pak mësues, profesori i matematikës drejt “humanoidit”
Kryeministri Edi Rama ka folur për mungesën e mësuesve të matematikës dhe mundësinë që teknologjia të përdoret në të ardhmen për të plotësuar këtë boshllëk në sistemin arsimor.
Gjatë podcastit “FLASIM”, Rama tha se mungesa e mësuesve të matematikës është një problem që pritet të bëhet edhe më i madh në vitet e ardhshme. Sipas tij, gjithnjë e më pak të rinj zgjedhin të studiojnë për këtë profesion, ndërsa mësuesit aktualë po dalin gradualisht në pension.
Kryeministri ngriti si mundësi përdorimin e teknologjisë për të zëvendësuar mësuesin e matematikës në klasë, duke theksuar se ky është një problem që po haset edhe në vende të tjera europiane, si Italia dhe Franca.
Rama tha se e sheh këtë zhvillim si një të ardhme shumë të afërt dhe jo si diçka nga e cila duhet pasur frikë.
Në të njëjtën linjë, mësuesi i ftuar në podcast u shpreh se një mësues humanoid mund të jetë një zgjidhje interesante, duke shpjeguar matematikën dhe duke ndihmuar nxënësit që kanë vështirësi në këtë lëndë.
Rama deklaroi se nuk e tremb zhvillimi i teknologjisë dhe se tashmë po mendohet edhe për përdorimin e një humanoidi të quajtur “Diella”. Ai e lidhi këtë me ndryshimet e shpejta teknologjike dhe me faktin se shumë gjëra që sot duken të pazakonta, mund të bëhen pjesë normale e jetës në të ardhmen.
KOHA JONË SONDAZH

