Rama kërkesë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara: Përqendroni vëmendjen në sigurinë kibernetike
Kryeministri Edi Rama është përballur për herë të parë me përfaqësues të Iranit lidhur me sulmin masiv kibernetik ndaj shërbimeve online. Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Rama kërkoi nga kjo e fundit të ketë më në vëmendje sigurinë kibernetike.
“Në një kohë kur një mori krizash e kanë zhytur botën në trazi përfshi edhe përmes kërcënimeve të papranueshme bërthamore do doja ti kërkoja Asamblesë të përqendrojë vëmendjen në një çështje tjetër thelbësore dhe lidhur ngushtë për ndikimin e jashtëzakonshëm mbi paqen dhe sigurinë që është siguria kibernetike. Teknologjia është pjesë e çdo aspekti të jetës tonë. Në Shqipëri 95% e shërbimeve ndaj bizneseve dhe qytetarëve ofrohen online. Korrikun e kaluar Shqipëria ishte subjekti i një sulmi masiv të paprovokuar kibernetik.
Gjithë infrastruktura qeveritare digjitale u gjend nën një sulm të përqëndruar dhe të bashkërenduar me synimin e qartë për ta shkatërruar atë, për të paralizuar shërbimin publik dhe për të vjedhur të dhëna dhe komunikime elektronike në sistemet qeveritare duke krijuar kaos dhe për të nxitur tensione në vend. Një hetim i thelluar, i gjatë dhe tërësor i kryer me ekspertizën më të mirë botërore kundër terrorizmit kibernetik ka konfirmuar përtej çdo dyshimi se sulmi kibernetik që donte të gjunjëzonte një vend sovran ishte një agresion i sponsorizuar shtetëror, orkestruar dhe kryer nga Republika Islamike e Iranit.
Përballur me një shkelje kaq flagrante të normave për një sjellje të përgjegjshme të një shteti në hapësirën kibernetike në një kohë paqeje që përfshin dhe mosdëmtimin e infrastrukturës kritike që ofron shërbimet për publikun.Qeveria nuk pati zgjedhje tjetër por vetëm të ndërpriste marrëdhëniet me Iranin. Shpresojmë që kjo masë ekstreme e detyruar të jetë shembull dhe parandalues për këdo që mbështet dhe sponsorizon veprime të tilla të neveritshme kundër shteteve sovrane.
Ne i bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara, përfshirë dhe Këshillin e Sigurimit të përqëndrohet më seriozisht dhe konkretisht për të trajtuar sigurinë kibernetike duke investuar në parandalim dhe duke ndihmuar të gjitha shtetet anëtare që të ndërtojnë qëndrueshmëri dhe rezistencë”, deklaroi Rama në OKB.
KOHA JONË SONDAZH

