Rama kërkon sërish vota përmes legalizimeve dhe hipotekimeve të pronave
200 mijë pasuri të krijuara nga marrja e tokave në përdorim do të kalojnë në proces hipotekimi. Këshilli i Ministrave i ka propozuar Kuvendit ndryshimin e rregullave të kalimit të tokave në pronësi ku familjeve u jepet e drejta të marrin deri në 20 për qind më shumë se sipërfaqa që u takon. Për këtë do të duhet të paguajnë pronën sipas metodikës së çmimeve.
Ashtu siç ka bërë në dy fushatat e fundit elektorale, Kryeministri Edi Rama do t’u kërkojë sërish votat shqiptarëve përmes një fushate masive të shpërndarjes së hipotekave për afro 200 pronave informale. Këshilli i Ministrave ka propozuar ndryshime në ligjin për kalimin në pronësi të tokave të marra në përdorim.
Sipas draftit i cili do të diskutohet në Komisionet parlamentare, janë 450 mijë AMTP që janë dhënë prej vitit 1991.
Por prej tyre janë regjistrruar vetëm 250 mijë.
Për këtë kërkohet që pushteti vendor të kalojë në kadastër të gjithë dosjet e akumuluara me qëllim përfundimin e regjistrimit në një periudhë prej 3 muajsh pas miratimit të këtij ligji.
Në rast se ky kusht nuk do të plotësohet atëherë kalimi i sipërfaqes në pronësi konsiderohet i pranuar.
Por po ashtu propozohet rregullimi i të gjithë rasteve kur ka problem mes dokumentacionit dhe situatës në terren.
Familjeve u jepet e drejta që të përfitojnë deri në 20 për qind të sipërfaqes që u takon, me kushtin që ta paguajnë atë në bazë të vlerës së miratuar me hartën e çmimeve të qeverisë.
Ndërkaq përfituesit duhet të kenë vërtetimin e Komisionit të ndarjes së tokave, certifikatën familjare te vitit 1991, por dhe dokumentet që kanë qenë punonjës në ish-fermat apo kooperativat bujqësore.
Ndërsa për ish-pronarët që përfitojnë nga ky proces do të kërkohen dokumentet për trashëgiminë e sipërfaqes.
Projekti i jep zgjidhje dhe situatës kur prona është në territorin e dy njësive, duke i dhënë të drejtën poseduesit faktik nëse nuk ka zgjidhje të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

