Rama kundër termit: “Minishengen” nuk më konvenon, jam 198 i gjatë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë dalë në një konferencë të përbashkët për mediat.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama kërkoi hapjen e kufirit me Kosovën, sikurse në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Qytetarët kanë kaq vite që heqin të zitë e ullirit në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, me mallëra që presin me orë dhe ditë. Do donim që njësoj si në të gjithë Ballkanin Perëndimor që dhe mes Shqipërisë dhe Kosovës të hapej kufiri. Heqja e kufirit nuk është një ‘minishengen’”, tha Rama.
Rama tha se janë miliona euro që rajoni i humb nga prezenca e kufirit, ndërsa nuk kurseu edhe ironinë me termin “mini-shengen”.
“Minishengen-enin nuk e di kush e gjeti, mua nuk më konvenon. Duke qenë 198 cm, nuk jam ndjerë kurrë pjesë e një mini.
Janë miliarda euro që rajoni i humb nga ky lloj barikadimi (kufiri), që i ka dalë koha dhe funksioni. Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës njësoj si të tjerët të zhduket. Kjo ka dakordësinë edhe të palëve të tjera përfshirë edhe Serbinë”.
Për të gjithë ata që jetësojnë termin Jugosllavi, Rama tha: “Kush flet për Jugosllavi mbase ka jetuar shumë gjatë sepse unë nuk kam jetuar dhe nuk kam asnjë kujtim. Kush flet për një Shqipëri të Madhe duhet të heshtë. Nuk ka mundësi që unë të jem edhe mini jugosllav edhe shqiptaromar, jam një qytetar europian”.