Rama: Liderët botërorë të interesuar për gjendjen në Shqipëri, ja çfarë u kam kërkuar

Kryeministri Edi Rama ka folur për media pas Samitit të NATO-s, që u mbajt sot në Londër, me pjesëmarrjen e liderëve botërorë. Kreu i qeverisë shqiptare tha se temë kryesore e tij në këtë Samit ka qenë situata dramatike në Shqipëri, e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ndër të tjera, ai theksoi se liderët kanë shprehur interes për këtë gjendje, ndërsa tregoi se ka biseduar nga afër me disa prej liderëve të fuqive botërore, si Donald Trump i SHBA, Angela Merkel e Gjermanisë apo dhe Emanuel Macron i Francës.

“U ndjeva i inkurajuar nga fakti që të gjithë ishin në dijeni dhe të interesuar të dinin më shumë. Kemi diskutuam, kam bërë bisedë të gjatë me presidentin e Francës, Kancelaren, kryeministrin e Holandës, kryeministri i Danimarkës ka qenë shumë i interesuar, kryeministri Conte pa diskutim, por edhe kryeministri i Kanadasë. Kemi folur dhe me presidentin Trump dhe Erdogan. Qëllimi është për të zhvilluar një konferencë të madhe donatorësh, kjo më është kërkuar.

Fokusi ka qenë për këtë temë, por ka pas edhe mbi ecurinë e integrimit në BE, si mund të shkojë procesi mbi dokumentin e paraqitur nga Franca. Por, unë kam qenë shumë i fokusuar te tërmeti, pasi kjo është më e rëndësishme sot. Është një moment për të kuptuar qartë të gjithë se përtej dallimeve e kundërshtive, Evropa është e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve.

Ministrja e Mbrojtjes po vazhdon intensivisht komunikimin, por mua më duhet të kthehem. Ju kemi vënë në dispozicion edhe dokumente e informacione që të mund të kenë një pamje shumë të qartë. Kam kërkuar që të mund të plotësojmë të gjithë ata që janë në zonat urbane me çadrat e dimrit”, deklaroi kryeministri Rama.

SHKARKO APP