Rama mbledh Komitetin e Emergjencave Civile: Do të dëmshpërblehet çdo familje, mobilizimi i strukturave do të vijojë
Kryeministri Edi Rama mblodhi Komitetin e Emergjencave Civile në lidhje situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
“Durimi është i domosdoshëm. Reagimet ushqejmë nervozizëm, në një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë. Nuk kanë nevojë për shpifje dhe teori, por mbështetje dhe bashkim forcash. Kjo situatë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por nga Italia në Greqi, Mali i Zi e Kosovë, e deri në Turqi. I njëjti i ftohtë. I njëjti shi, kanë krijuar të njëjtën situatë të rënduar. Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm verë e nxehtë, por edhe mot më ekstrem. Më shumë thatësira dhe më shumë zjarre e më shumë përmbytje, është klima ku jetojmë. Kur vazhdojmë hedhim plehrat e kur i vëmë zjarrin pyjeve, pasojat rriten më shumë. Deri tani janë 1587 banesa me praninë e ujit. Janë evakuar 51 familje. Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme, më shumë sesa sasia mesatare që bie gjatë gjithë muajit”, u shpreh Rama.
“Sot dua t’i siguroj dhe të dëmtuarit e kësaj here se do të shlyejmë me të njëjtin dinjitet çdo detyrim ndaj tyre. Puna intensive dhe mobilizimi i pa ndaluar 24 orë në të gjithë territorin ku është nevoja e të gjitha strukturave do të vazhdojë e pandërprerë deri në përforcimin e kësaj situate“, tha Rama më tej.
Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave të opozitës duke thënë se të gjithë hidrovorët kanë qenë në punë dhe se para nisjes së sezonit me reshje është isguriar gatishmëria e kanaleve kryesore, të kullimit, hidrovorëve dhe kanaleve të ujërave të larta.
Pjesë e mbledhjes janë ministritë e linjës, përgjegjëse për të menaxhuar situatën: Ministria e Mbrojtjes, e Brendshme, e Financave, Energjia, Infrastruktura, Bujqësia si dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
KOHA JONË SONDAZH

