Rama: Mos hidhni në plehra sakrificën, jo si cjepër te kasapi
Qytetarë që dynden të grupuar në rrugët e qyteteve gjatë orareve të lejuara për lëvizje kanë shqetësuar dhe vetë kryeministrin Edi Rama. Përmes një video në facebook, ku prezantoi 7 pikat e qeverisë, kreu i qeverisë apeloi qytetarët që ti qëndrojnë strikt këshillave për ruajten e distancës së sigurisë dhe të mos hedhin në kosh të gjithë sakrificat e bëra deri më tani nga institucionet.
“Sot është koha për të kursyer gjithçka mundemi. Nuk shkon që këtë sakrificë, kufizime skandaloze lirie që i kemi pranuar të gjithë bashkë si domosdoshmëri jetike ti hedhim në plehra duke mos qenë në gjendje të mbajmë një radhë si duhet në derën e një dyqani. Nëse në oraret e lejuara për këmbësorët ne grumbullohemi siç kemi bërë tërë jetën te dera e autobusit dhe nuk i bëjmë dot një vijë distancë nga njëri-tjetri kjo do të thotë të hedhim në plehra tërë frytet e sakrificës duke u mbledhur si cjepër të hanxharin e kasapit të padukshëm që ka ardhur të na hajë kokën. Çfarë të bëjmë më? Të dënojmë me burg ata që nuk po duan akoma të marrin vesh? Çfarë ka akoma të vështirë për të kuptuar se çdo grumbullim mund të jetë i fatalshëm për familjen tonë”.
Përballë precedentëve të tillë ai kërkoi ndihmën e të bindurve. Shefi i qeverisë tha se është jetike që gjithësecili prej nesh të vetëdijësohet për rrezikun që i kanoset dhe se kjo situatë nuk është e mundur të zgjidhet vetëm me policë te koka.