Rama në banesën e re të familjes Belegu në Petrelë

Familja Belegu këtë Krishtlindje e Vit të Ri, do ta gëzojë me shtëpi të re, pas humbjes së banesës më 21 shtator. Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Tiranës Erion Veliaj i dorëzuan sot çelësat e banesës së re e cila është ndërtuar në kohë rekord familjes Belegu nga Petrela. Kryefamiljari i saj, Xhevdet Belegu, i cili vuan edhe nga probleme shëndetësore, kurrë nuk do e imagjinonte më 21 shtator se shtëpia e tij e shkatërruar plotësisht do të mund të rindërtohej për shkak edhe të vështirësive ekonomike. Por lotët e hidhërimit të asaj dite sot janë kthyer në lot gëzimi, kur tre fëmijët e tij të vegjël do të kenë mundësi jo vetëm të kenë një banesë më të mirë, por edhe të rriten e të studiojnë në kushte komode.

“Uroj të jetojnë edhe shumë e shumë vjet, me shëndet e mbarësi”, tha Rama, ndërsa vizitoi familjen Belegu në banesën e re. Rama tha se “ne u jemi dhe do t’u jemi pranë atyre dhe çdokujt në nevojë, me gjithë zemër e me të gjitha mundësitë tona”. Kryeministri Rama shpërndau dhurata për fëmijët e familjes Belegu, dhe shprehu solidaritetin me ta dhe të gjitha familjet e prekura nga tërmeti.

“Shtëpitë e reja siç e patë kishin rezistuar, kurse Xhevdeti rri te shtëpia e prindërve, të shtëpia e vjetër e plakut. I ranë muret. Dhe sipas porosisë tuaj për tërmetin e parë që të mbaronim çdo shtëpi, para Vitit të Ri. Prandaj ishte dhe simbolika e gjelit, që, çelësin dhe gjelin dhe një fillim i ri te shtëpia e re”. Kryebashkiaku Veliaj siguroi se të gjithë banesat e reja do të plotësojnë të gjithë standardet.

SHKARKO APP