Rama në Elbasan me ministrat Mazniku dhe Gonxhe: Arsimi profesional, garanci absolute drejt tregut të punës

Kryeministri Edi Rama ishte sot në shkollën profesionale të qytetit të Elbasanit bashkë me ministrat Mazniku dhe Gonxhe. Aty studiojnë 1, 400 nxënës, me 8% më shumë regjistrime në klasë të 10-të se viti i kaluar. Rama vlerësoi se këto shifra optimiste flasin për thyerjen e mentalitetit se arsimi profesional është i kategorisë së dytë.

“Lajmi i mirë është se po thyhet mentaliteti se arsimi profesional është kategori e ulët. Arsimi profesional është garanci absolute për të pasur një instrument në dorë që të mos ngelet pa punë. Po ashtu kush bën arsim profesional nuk e ka të mbyllur derën e universitetit, por ndryshe nga ata që mbarojnë arsimin e përgjithshëm ka edhe një zanat që edhe e përdor për të punuar gjatë universitetit apo pas universitetit për të bërë sipërmarrjen e vetë”, shtoi Rama.

Sipas kryeministrit, është një ndryshim i madh edhe për faktin se sipërmarrjet tani nuk kanë ku shkojnë pa punonjës të kualifikuar, ndaj duhet ta kuptojnë se duhet paguar puna ashtu si e meriton. Kryeministri theksoi se ndikim ka edhe faktori i rritjes ekonomike.

“Ekonomia rritet dhe rritet nevoja për punonjës të kualifikuar sidomos në fushën e teknologjisë. Me aftësi në teknologji ti punësohesh jashtë shtetit pa lëvizur nga shtëpia dhe merr paga që janë shumë të larta në varësi të asaj që ti ofron. Janë 17-18 vjeç që i kanë pagat sa gjithë familja bashkë”, tha Rama.

Shkolla profesionale e Elbasanit ka një larmi programesh studimi që i përgjigjen nevojave të tregut të punës; si TIK, Hoteleri-Turizëm, Ekonomi Biznes, Termohidraulike, Tekstil Konfeksione, Shërbime Mjete Transporti, Mekanikë, Elektroteknikë etj. Ajo po zbaton dhe Sistemin Dual, ku aktualisht janë rreth 300 biznese që ofrojnë praktikë mësimore për të gjithë nxënësit.

SHKARKO APP