Rama në Itali, Kepi: Jo entuziazëm si në Athinë, do ketë shumë këngëtarë. Priten 5000 shqiptarë

Pas Athinës, turi i takimeve me shqiptarët e diasporës do të ndalojë në Milano të Italisë. Takimi që do të bëhet më 26 maj, për gazetaren Alba Kepi është thjesht nisje e fushatës elektorale 2025. Në një intervistë në Ditarin e Pasdites me Bruna Çifligun, Kepi tha se në Itali nuk ndihet entuziazmi që u pa në takimin e Athinës, kjo për shkak se emigrantët aty janë të zhgënjyer nga politika në Shqipëri.

“Nuk ndjehet ai lloj entuziazmi si në Athinë, emigrantët shqiptarë në Itali nuk kanë shumë besim te politika shqiptare, dhe këtë e them pa asnjë lloj rezeve, si të majtë dhe të djathtë. Unë e shoh si një nisje e fushatës elektorale, si një ftesë e Ramës për të krijuar lidhjet e tij për një votë më shumë”, tha Kepi.

Ky takim për gazetaren shqiptare që jeton në Itali, duhet të shërbejë edhe si një kambanë alarmi edhe për opozitën. Ajo dha detaje mbi takimin, nisur që nga artistët që do të performojnë, deri tek vendi i përzgjedhur. Për këtë të fundit, Kepi kishte kritika, pasi sipas saj, nuk është vend përfaqësues i rrugëtimit të shqiptarëve.

”Do jenë Alban Skënderaj, Artiola Toska, Noizy, Anxhela Peristeri. Emri i portalit është Diaspora në Itali, por menaxhohet në qeveria në Tiranë. Mund të jenë rreth 5000 persona. Rama ka zgjedhur këtë vend sepse në Lombardi është komuniteti më i madh i shqiptarëve në Itali, mendoj që nuk është një vend përfaqësues për emigracionin shqiptar në Itali, duhet të kishte zgjedhur Barin, ose Puglia, vendi ku kanë mbërritur gomonet apo anijet e para me emigrantët shqiptarë, ose Romën, si një vend simbol për t’i dhënë dinjitet më shumë emigrantëve”, përfundoi Kepi për ”A2cnn”.

SHKARKO APP