Rama në Sarandë: Me shembujt mbresëlënës të sipërmarrësve të rinjë

Kryeministri Edi Rama është ndalur ditën e sotme në Sarandë, ku ka zhvilluar një takim me sipërmarrësit e rinj në këtë qytet.
Në fjalën e tij, Rama ka deklaruar se qeveria ka ulur qëllimisht TVSH-në për të inkurajuar formalizimin e aktiviteteve ekonomike. Më tej, Rama tha se kjo ulje e taksës është nën nivelin e rajonit dhe të Mesdheut, por shtoi se disa sipërmarrës ende nuk po e kuptojnë këtë mundësi.
“Ne kemi ulur TVSH-në enkas, për të nxitur formalizimin. Është TVSH më e ulët në rajon e në Mesdhe. Prapë sipërmarrësit bëjnë sikur nuk kuptojnë. Strukturat hoteliere të paguajnë 65 për qind parapagim, nëse nuk duan kontroll fare. Kush paguan 65 për qind nga prilli në shtator, nuk do ketë kontroll fare. Kush do pranojë këtë marrëveshje, nuk do ketë asnjë kontroll. Nëse nuk e pranoni, do ketë kontrolle më të ashpra”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për të cilin tha se menjëherë pas anëtarësimit vlera e pasurive të patundshme në vend do të dyfishohet.
Sipas tij, ky proces është një trend që është vërejtur në të gjitha shtetet që janë anëtarësuar në BE, duke theksuar se kjo rritje do të ndodhë për shkak të interesit të lartë të turistëve.
“Kini parasysh që në momentin që ne hyjmë në BE, të gjitha pronat do të pësojnë rritje çmimi, dyfish menjëherë, siç ka treguar historia e të gjitha vendeve që ka hyrë para nesh. Prona e patundshme bëhet objekt interesi për një popullatë qindra miliona njerëz. Është njësoj si një qytet i ri që i shtohet Shqipërisë. Çfarë interesi do kishte, kur edhe pse dyfishohen, janë prapë më lirë se në vendet e BE”, tha Rama nga Saranda.