Rama: Në të ardhmen mund të kemi edhe një garë të Formula 1 në Shqipëri

Është hapur gara ndërkombëtare për ndërtimin e “Auto Moto Park Albania” në Elbasan. 5 studiot më të mira të projektimit të strukturave të tilla, autorë të pistave më të njohura të Formula 1, kanë shprehur interes për këtë investim shqiptar.

I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka thënë me ndërtimin e një piste të tillë, nuk është më e pamundur edhe një garë e Formula 1 në Shqipëri.

Faleminderit shumë kompanive që marrin pjesë në këtë event historik për auto-motorizmin shqiptar por dhe për Shqipërinë. Sepse falë ideve të tyre do të përzgjedhim edhe projektin më të mirë për t’i hapur rrugë një epoke të re për Elbasanin dhe Shqipërinë.

Për ta vendosur Shqipërinë në një tjetër hartë ku mungon plotësisht dhe për t’i hapur një tjetër derë prej ku një tjetër kategori vizitorësh do të mund të hyjnë për të fuqizuar më tutje ekonominë dhe imazhin tonë. Nga ana tjetër, ky projekt i hap rrugë dhe një tjetër fronti të punësimit cilësor.

Jo thjesht vende pune por vende pune të mirëpaguara, teknologji e lartë dhe padiskutim dhe mundësira dhe horizonte të reja për gjeneratën e re. Ky projekt është fryti i këtij frymëzimi për të cilin fola dhe jam i bindur se do ta realizojmë duke bashkuar të gjitha forcat.

Siç shumë gjëra deri dje na dukeshin të pamundura tani janë në rrugën që po bëhen të mundura. Edhe ajo që dukej e pamundur që në Shqipëri të kishim një garë të F1, e ardhmja do të tregojë se edhe kjo është e mundur”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.

 

SHKARKO APP