Rama: Nëse Europa lodhet nga zgjerimi, Ballkani identifikohet me gjakderdhje

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar edhe një herë tjetërEuropën se lodhja nga zgjerimi do të kishte ndikim për paqen në Ballkan. Këtë paralajmërim Kryeministri i Shqipërisë e bëri në revistën “Newsweek”.

E përjavshmja amerikane, një nga më të mëdhatë, i kushtoi një shkrim Edi Ramës, duke u fokusuar tek mënyra sesi ai ka tërhequr vëmendjen e homologëve ndërkombëtarë, tek sfidat që ai ka për vendin dhe rolin në Ballkan.

Paragrafi i fundit i shkrimit është ai që bie më shumë në sy, për shkak se kryeministri shprehet “pa doreza”, kur thotë se “Europa duhet të bëjë më shumë për të mirëpritur kombet e Ballkanit”.

“Sot, ne kemi një paqe në rajon, të cilën nuk e kemi pasur kurrë në histori”, është shprehur Edi Rama për “Newsweek”, i vetëdijshëm se, siç thotë ai, “ne nuk jemi engjëj dhe as nuk kemi për të qenë ndonjëherë, por se kjo paqe është rezultat i aspiratës së të gjithë popujve në këtë zonë për të qenë pjesë e Europës”.

Duke e çuar më tej idenë e tij, Kryeministri i Shqipërisë i tha të përjavshmes amerikane se “nëse Europa do të vazhdojë të tregojë lodhje nga zgjerimi, atëherë ajo rrezikon që ta shohë këtë rajon të lodhur nga durimi. Nëse durimi merr fund, Ballkani gjithmonë do të identifikohet me gjakderdhje”, është shprehur Kryeministri i Shqipërisë, i cili nuk e ka përfunduar me kaq paralajmërimin e tij.

-“Ta lësh Ballkanin dhe besimet e tij të ndryshme fetare të shpërbëhen, kjo do të ishte një tragjedi për çdonjërin prej nesh”, thotë Kryeministri Edi Rama për “Newssweek”

SHKARKO APP