Rama: Nëse Greqia shtrihet me 12 milje në Jon, kufiri do ishte në Memaliaj

Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Sarandë ka folur edhe për “ çështjen e detit”.

Rama deklaroi se kjo çështje është keqinterpretuar teksa shtoi se nëse vendi fqinj do të shtrihej deri në 12 milje do të thotë që kufiri ndarës të jetë në Memaliaj.

“Nuk ka asgjë të tillë në vendimet që ka marrë Greqia. E them këtë se vendimet e Greqisë që këtu janë keqinterpretuar pasivisht, nuk kanë lidhje mes nesh dhe Greqisë. Këtu nuk janë miljet e nevojshme për t’u shtrirë 12 milje. Që Greqia të shtrihet 12 milje do të thotë që të shkojë deri në Memaliaj dhe ne industrinë e detit ta zhvillojmë në Virua. As ne nuk mund të shtrihemi në 12 milje”, tha Rama.

Më tej, Rama tha se 12 miljet janë një e drejtë e të gjitha vendeve teksa sulmoi të gjitha ata që flasin për shitje deti duke i etiketuar si “maskarenj”. Po ashtu kreu i qeverisë ritheksoi se çështja e detit do të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare, pasi mes vendeve nuk është arritur asnjë marrëveshje.

“12 miljet janë një e drejtë e gjithsecilit shtet. Greqia ka ushtruar të drejtën e vet. Ideja që deti mund të shitet si kos është absurde dhe keqardhja më e madhe është se ka aq shumë peshq me këmbë që e marrin për të mirëqenë. Dhe ata që flasin me publikun duke i fryrë këtij zjarri janë maskarenj, qenie të ulëta dhe për fat të keq kanë një pjesë të njerëzve që i ndjekin nga pas. Sot jam shumë krenar që kemi arritur të vendosim rrugën e komunikimit me Greqinë, sot marrëdhëniet janë pozitive dhe ajo që ka bërë nuk e impakton Shqipërinë”, tha Rama.

SHKARKO APP