Rama: Nesër nis beteja frontale kundër informalitetit

Kryeministri Edi Rama foli sot në një konferencë për median pas mbërritjes në Tiranë, nga samiti i Vjenës. “Ia dolëm të shtyjmë përpara një proces prej të cilit Shqipëria dhe rajoni kanë një përfitim të drejtëpërdrejtë politik dhe ekonomik” tha Rama ndërsa i kushtoi dhe një vëmendje të madhe aksionit kundër informalitetit i cili nis nesër.

Ai e cilësoi si operacionin më të rëndësishëm të këtij mandati. “Nesër nis operacioni më i rëndësishëm i këtij mandati, lufta frontale kundër informalitetit, e cila nuk nis nga zero por kalon në një fazë të dytë vendimtare për të ulur informalitetin në një nivel të pranueshëm. Do të jetë jo luftë kundër biznesit, por aleancë me biznesin që paguan taksat dhe në mbrojtje të konsumatorit. Është një përpjekje që ne synojmë jo vetëm të vendosim atë drejtësi e barazi para ligjit dhe në raport me detyrimet që seicili të kontribuojë sa i takon, siç bëmë dhe me energjinë, por nga ana tjetër është përpjekje për të bërë një kapërcim të detyrueshëm epokal”,- tha Kryeministri Edi Rama.Ai tha se paralelisht nis reforma e paralajmëruar e ujit. "Reforma e sistemit të uiit të pijshëm do të jetë reformë e thellë strukturore dhe do të bashkohet shumë fort në avantazhin e madh që na ka krijuar reforma territorial",- tha Rama.

Duke folur samitin e Vjenës, Rama tha se që nga konferenca e Berlinit deri tek ajo e Vjenës është regjistruar një progres i jashtëzakonshëm politik në rajon. 
“Ajo që vlen të theksohet është se kemi hyrë në një fazë ku progresi ka shërbyer për të rritur vëmendjen për avancimin e mbështetjes ekonomike e financiare për rajonin”, ka deklaruar Rama. 

Shefi i qeverisë shqiptare ka bërë të ditur se, palët e përfshira në këtë proces të organizuar me nismë të kancelares Merkel kanë rënë dakord për financimet dhe investimet në infrastrukturën rajonale.  “Gjatë këtij viti është përcaktuar harta e ndërlidhjes përmes projekteve të përbashkëta në infrastrukturë. Prioritet në këtë drejtim është Korridori i Kaltër, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, ndërkohë që mbështesim edhe projektin e quajtur Rruga e Paqes, që lidh Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë përmes aksit Nish-Prishtinë-Durrës”, ka saktësuar Rama. 

Një tjetër pikë në të cilën ai e ka vënë theksin ka qenë edhe arsimi, reforma për të cilin kërkon gjithashtu një mbështetje financiare. “Elementi kryesor për të ardhmen e të rinjve është pikërisht rrjeti i arsimit profesional. Ne kemi nisur një reformë në këtë sektor sipas modelit gjerman, por duhet një mbështetje financiare për ta fuqizuar këtë rrjet”, ka thënë Rama. Në vijim të fjalës së tij, Rama ka theksuar se, ekzekutivi i tij po vazhdon edhe reformat në fushat e tjera, përfshirë atë në drejtësi që ka marrë sipas tij mbështetje nga faktori ndërkombëtar. 

SHKARKO APP