Rama nuk bind, shqiptarët e “masakrojnë”: Lolo kryeministër! Do të përçash shqiptarët

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’u përgjigjet në festën e Krishtlindjes kritikëve të tij që prej ditësh e kanë akuzuar për tradhti kombëtare në kurriz të Kosovës sa i takon minishengenit ballkanik dhe vizitës së Vuçiç në Tiranë.

Rama ka bindjen se koha e historia do të flasin nesër drejtë, e do t’u japin hakun të drejtëve dhe të shtrembërve të sotëm. Ndërsa të tjerat thotë ai janë llafe të sotme që i merr era e nesërme. Për Ramën, ulja e Kosovës në tryezën e minishengenit ballkanik është vetëm çështje kohe.

Por pavarësisht bindjeve të tij, kryeministri duket se ka dështuar në tentativën e tij për të bindur shqiptarët se ai ka të drejtë.

Dhe përgjigjen për qëndrimet e tij, Rama do ta merrte brenda pak minutave, po në rrjetet sociale, ku dhe ka postuar reagimin e tij, aty ku shqiptarët e akuzojnë direkt Edi Ramën se Minishengeni nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për të përçarë shqiptarët.

Reagimet plot nerv dhe indinjatë të shqiptarëve në disa raste kanë shkaktuar dhe kundërpërgjigjen e kreut të Qeverisë i cili është përfshirë në debate direkte me ta.

Për më shumë lexoni disa nga replikat e Ramës me qytetarët në rrjetin social “Facebook”:

Ilir Krasniqi: Me dashamirësinë më të madhe z. Kryeministër, juve sinqerisht nuk arrini ta kuptoni Serbinë, lojën e pistë që ajo luan, dhimbjen që popujt e Ballkanit (Bosnja dhe Kosova) në veçanti e kanë përjetuar nga ky shtet. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një Vuçiç. Këtu bëhet fjalë për një shtet të tërë me Vuçiça, që nga Akademia e Shkencave Serbe e deri tek një pijetore e thjeshtë, ata janë unik sa i përket Kosovës dhe Shqiptarëve në përgjithësi, duan Zhdukjen tonë. Dhe mëria më e madhe është se një shtet i tillë pas gjithë atyre masakrave e përdhunimeve rrahjeve e burgosjeve sot kërkon ta marrë stafetën e liderit të Ballkanit dhe ju pa dashje po e ndihmoni.

Edi Rama: Ilir Krasniqi mbase nuk e kupton ti i dashur atë që kuptoj dhe po bëj unë, prandaj i’a lëmë kohës të na provojë se kush ka të drejtë dhe ndërkohë të respektojmë njëri-tjetrin, që nëser kush shan e mallkon sot, të mos ndjehet fajtor dhe qesharak! Gezuar Krishtlindjet!

Bilal Osmani: Lolo kryeministër je treguar! Do të përçash shqiptarët, pasi ashtu jemi të përçarë, çfarë interesa shqiptarët kanë këtu? Fole ti me gjithë shoqërinë shqiptare për të marrë këtë vendim apo??? Kapadahi në vehte sikur Shqipëria e jotja është turpi nuk ka fund. Për shërbime të huaja punon, jo për shqiptarët………

Edi Rama: Bilal Osmani mua shoqëria shqiptare më ka dhënë mandatin për të folur në emër të saj dhe ka pese vjet që ka nisur ky proces e janë dakordësuar gjërat mes të gjithëve, sa në Berlin e sa në Bruksel, po ty falëminderit për fyerjet dhe të uroj gezuar Krishtlindjet, bashkë me dëshirën që Zoti të të ndriçojë arsyen e zbusë gjuhën e vrazhdë, për veten tënde, jo për mua, se unë jam mësuar me të gjitha dhe fjalët e këqia më kanë bërë më të fortë!

Gëzim Prelvukaj: Tradhtarë nuk je, por as politikan nuk je ….pak je ngut ne raport me Vuçiqin por e kuptojmë që ke qëllime të mira, por kështu gëzohet vetëm Vuçiq e Serbia. Prapë ta kuptojmë se Institucionet e Kosovës e kanë pas për detyrë të jenë në atë tryezë, pasi që kanë marrë pjesë edhe nëpër tryeza sekrete si Thaçi me Vuçiqin nëpër shumë vende të botës e edhe Ramushi me Radojçiqin hapur. Nga ju Kryeministër kërkuam që të prisnit pak sa Kosova të ketë përfaqësues të denjë si Albin Kurti e Vjosa Osmani. Gëzuar Kërshëndellat e për shumë mot ?

Edi Rama: Gëzim Prelvukaj jo politikan s’jam të them të drejtën e s’dua hiç të jem, më mjafton të jem ky që jam, një qytetar i vënë në shërbim të politikës së vendit të tij dhe “s’bëj për burrë” kur i thonë asnjë politikan, ndërsa për ngutjen s’jam dot dakord, sepse ka pesë vjet ky proces e Vuçiçi ka qenë nja pesëmbëdhjetë herë në tryezë me mua, me Hashimin, me Isën, me Ramushin dhe me të gjithë liderët e vendeve të tjera të rajonit bashkë, po këtë herë u tund dynjaja e “s’e mora vesh”

SHKARKO APP