Rama nuk po lufton pandeminë, por LSI-në!

-Qeveria nisi fushatën e pistë politike me gjoba kundër kundërshtarëve politikë të saj. Policia po ndëshkon  vetëm LSI, por jo deputetët, ministrat dhe kryeministrin që kanë bërë më shumë shkelje sesa e gjithë opozita gjatë pandemisë. Ndërsa dje policia gjobiti numrin dy të LSI, Endrit Braimllarin me 50 milionë lekë si dhe pensionistin Abdulla Deliallisin, kryetar i shoqatës “Durrësi Autokton”, me 50 milion lekë vetëm se priti Presidentin Meta në një aktivitet për nderimin me titullin “Nderi i Kombit” të arkitektit Vangjel Toçi (pas vdekjes).

Rilindja dhe Edi Rama kanë nisur ditët  e fundit një fushatë të pistë politike duke përdorur pandeminë për të ndëshkuar kundërshtarët politikë. Pa u zbardhur ende vendimi për masat e reja kundër koronavirusit, Policia e Shtetit është vënë në lëvizje me urdhër politikë për të përgjuar dhe gjobitur përfaqësuesit e opozitës. Me argumentin se takimet politike me shumë njerëz përhapin koronavirusin, Policia e Shtetit ka ndëshkuar me gjobë kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi gjatë një takimi në Elbasan edhe pse ajo dhe ata që e shoqëronin nuk ishin në shkelje të rregullave. Dje, në mënyrë të paprecedentë policia gjobiti me 5 milionë lekë të reja Sekretarin e Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari për një takim të bërë 5 ditë më parë në Korçë, ndonëse të gjithë ishin me maska. Më gjobë 1 milionë lekë të reja u gjobit pronari i lokalit ku zhvillohej aktiviteti i LSI-së. Një tjetër rast edhe më i turpshëm është gjoba 5 milionë lekë të reja ndaj kreut të shoqatës “Durrësi Autokton”, pensionistit Abdulla Deliallisi. Pensionisti u gjobit si organizator i ceremonisë për nderimin me titullin “Nderi i Kombit” të arkitektit Vangjel Toçi (pas vdekjes). Aktiviteti u zhvillua në Pallatin e Kulturës në Durrës dhe kushdo që mori pjesë ishte me maska e nuk u lejuan tubimet. Arsyeja e vërtetë e gjobës së një pensionisti lidhet me faktin se në aktivitet mori pjesë kreu i shtetit Ilir Meta.

Të gjitha gjobat janë mirëfilli politike dhe nuk kanë asnjë lidhje me shkeljen e rregullave të pandemisë. Policia e Shtetit nga një institucion i pavarur është kthyer në një degë seksioni të Partisë Socialiste që vihet në lëvizje me mesazhet e drejtuesve të PS. Sapo nis një takim i LSI apo opozitës, policia shkon për të vendosur gjoba dhe prish takimet elektorale. Që policia po sillet në mënyrën më pak profesionale në gjithë historinë e saj e tregon dhe qëndrimi i efektivëve ndaj takimeve të qeverisë, deputetëve dhe anëtarëve të Partisë Socialiste. Në adresat zyrtare në rrjetet sociale të Edi Ramës dhe çdo ministri apo deputeti të PS ka foto që janë provë kriminale e abuzimit me rregullat e pandemisë. Në Korçë, Edi Rama mblodhi 30 veta në një lokal ku u fliste për punën e partisë dhe asnjë polic nuk shkoi t’i tërhiqte vëmendje dhe jo më të vinte gjobë. Në Kamëz, Elisa Spiropali i kthen takimet elektorale në aheng me birra dhe pije alkoolike për 100 veta në një lokal, por askush nuk i thotë se kjo është vepër penale dhe jo thjesht shkelje e rregullave të pandemisë. Zëvendëskryeministri Erion Braçe që bërtet në Facebook për respektimin e rregullave është fotografuar disa herë në takime lokaleve të Divjakës me dhjetëra persona pa maskë, por as këtë Policia e Shtetit nuk e ka parë. Në Tiranë takimet e PS janë si festa të koronavirusit, por Policia dhe as Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk e hapën gojën. Madje, në këto festa nuk mungojnë dhe anëtarë të vet Komitetit. Çdo deputet i PS shfaqet në rrjetet sociale duke marrë pjesë në takime me më shumë se 10 persona dhe me maskë, por deri më sot nuk ka pasur asnjë gjobë sa për sy e faqe. Të gjitha shkeljet e PS, duke nisur nga Edi Rama tregojnë një të vërtetë alarmante. Rritja e masave dhe gjobave për shkeljen e rregullave të pandemisë nuk u bë për të luftuar virusin, por për të luftuar opozitën. Rilindja nuk po përdor ligjin për të frenuar përhapjen e pandemisë sepse një sjellje e tillë do të pranohej nga gjithë qytetarët. Fatkeqësisht ligji po përdoret në mënyrë të egër vetëm kundërshtarëve politikë, ndërkohë që të tjerët që po përhapin virusin po mbyllen sytë nga policia. Gjobat ndaj opozitës apo vetëm ndaj një partie politike janë shprehja më e qartë e metodave diktatoriale që po përdor Rilindja në ditët e fundit të saj. Ligjet janë njëlloj për të gjithë. Nëse gjobitet vetëm njëra palë dhe pjesa që është në pushtet sillet sikur nuk ka ligj, kjo nuk është më çështje ligji, por sjellje e pistë politike e një qeverie që nuk do t’ja dijë për shëndetin e qytetarëve, por vetëm për pushtetin.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP