Rama: Përfshirja e pensionistëve në rritjen ekonomike, proces i pandalshëm

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se rritja e bonusit të fundvitit për pensionistët është vetëm fillimi i një procesi të pandalshëm të përfshirjes së pensionistëve në rritjen ekonomike të përgjithshme të këtij vendi.

Nga Himara, Rama u ndal te bonusi i rritur i fundvitit për pensionistët, e cila sipas tij, “është një mbështetje shumë herë më e madhe sesa e viteve të shkuara”.

“Më vjen mirë që ky vit mbyllet me një akt të qeverisë për pensionistët. Më vjen shumë mirë që si rezultat i rritjes ekonomike, ne arritëm që t’i përfshijmë pensionistët, si i vetmi grup që nuk ka parë ndonjë gjë domethënëse nga rritja ekomomike, sepse të gjitha grupet e tjera kanë përfituar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “bonusi që u dha për këtë fund vit, i cili është një mbështetje shumë herë më e madhe sesa e viteve të shkuara, është vetëm fillimi i një procesi të pandalshëm të përfshirjes së pensionistëve në rritjen ekonomike të përgjithshme të këtij vendi”.

“Kemi caktuar jo më larg se dy ditë më parë edhe bonusin e pranverës, i cili do të jepet përmes një fondi të hapur nga qeveria shqiptare për pensionistët në Bankën e Shqipërisë dhe të gjithë pensionistët me pensione nën 200 euro do të marrin 100 euro bonus në pranverë. Ndërkohë për ata që e kanë pensionin mbi 200 euro bonusi do të jetë 50 euro.
Po ashtu, kemi caktuar edhe një mbështetje shumë më të lartë sesa ajo e viteve të shkuara për të gjithë invalidët dhe personat me aftësi ndryshe të cilët pa përjashtim në këtë fund viti do të marrin nga 150 euro”, tha Rama.

“E di që e mira nuk ka fund, e di që edhe më shumë duhet bërë por besoj që të gjithë e dini që për të bërë edhe më shumë duhet të rrisim edhe më shumë mundësitë. Dhe kjo periudhë e fundit është karakterizuar nga rritja e mundësive dhe për këtë arsye kemi pasur dhe aftësinë që të rishpërndajmë më shumë”, shtoi ai.

SHKARKO APP