Rama po qeveris i qetë, pasi opozita është në sherr të vazhdueshëm
Një vit më parë (25 prill 2021), PS-ja fitoi zgjedhjet parlamentare dhe mandatin e tretë në drejtimin e vendit. Qeverisja duket shumë e kundërt nga paralajmërimi i Edi Ramës, që parashikonte kohë të vështira në pushtet.
Dorëheqja e Lulzim Bashës dhe hyrja e Berishës në PD ishin kryefjala e lajmeve politike, duke dëshmuar komoditetin e qeverisjes së PS-së nga ana tjetër. E vetmja gjë që ia prishi terezinë herë pas herë gjatë këtyre 12 muajve mazhorancës, ishin njoftimet nga SPAK.
Një arkë peshk hodhi në pranga ish-zv/ministren Rovena Voda, duke prishur imazhin e qeverisë, pasuar nga arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka dhe deputetit të dorëhequr Alqi Bllako.
Paçka arrestimeve të SPAK, hallet që kanë zënë opozitën kanë krijuar terrenin ideal që mandati “Rama 3” të mos hasë deri më tani asnjë vështirësi në qeverisje.
Nga ana tjetër, edhe protestat qytetare të nisura poshtë zyrës së tij pas abuzimit me rritjen e çmimeve, u shuan shpejt, duke shtruar rrugën drejt jo vetëm drejt zgjedhjeve vendore të 2023.