Rama pranon largimin masiv të shqiptarëve në 7 vitet e qeverisjes së tij
Kryeministri Edi Rama pranoi sot nga Kukësi se gjatë qeverisjes së tij, largimet e shqiptarëve janë të mëdha, dhe shumë pak janë kthyer në atdhe.
“Flasin sot disa që janë ata që nuk duan të dëgjojnë, që ne e paskemi krijuar varfërinë e paskemi vështirësuar ekonominë, që ne e paskemi hapur rrugën që njerëzit të largohen.
Patjetër që në këtë fazë të historisë sonë ka më shumë që largohen e më pak që kthehen por kjo do të ndryshojë, sic do ndryshojë dhe në gjitha vendet e tjera ish komuniste ku largimet kanë qenë masive, sot janë më pak, por vazhdojnë, dhe flas për vende që janë në BE që kthimet kanë filluar por ende janë pak.
Se bota është shumë e vogël, s’jemi më ne bunkerin e Enver Hoxhës që nuk lëvizte asnjeri, se jetojmë në një botë ku përmes iphone ndjehemi sikur jemi pjesë e planetit dhe pse jetojmë në një fshat, e tundimi për të shkuar brenda 3 orësh për tu gjetur në një realitet tjetër ku puna e premtuar është e mirëpaguar se sa puna që kemi këtu, është normale, patjetër. Po si mund të pranojmë ne që gjithë kjo punë e bërë gjithë ky kurim që i kemi bërë organizmit që e gjetëm në hemoragji të plotë do të ndërpriten dhe gjërat të kthehen sic ishin?
Ata që sot duan të kthehen e kanë pasur dy herë mundësinë, jo një herë, e kanë pasur herën e parë kur Shqipëria përfundoi në humnerë e shqiptarët mbetën në mëshirën e fatit pasi u lanë në mëshirën e Sudes dhe Vehbiut e kanë pasur dhe herën e dytë kur vendin e cuan në buzë të humnerës dhe kur erdhëm ne në shtator sfida e parë ishte të mos ulnim rogat e pensionet se s’kishte lekë në buxhetin e shtetit“, tha Rama.