Rama publikon videomesazhin e futbollistit shqiptar: Krenar për Brojën dhe çdo shqiptar që punon e kontribuon në Britani
Polemika të mëdha kanë plasur në publik dhe në median britanike në lidhje me sulmin që kryeministri Rama bëri ndaj ministres së brendshme britanike e cila etiketon vetëm shqiptarët si banditë dhe trafikantë. Ky qëndrim solli reagim të fortë dhe të drejtë te Kryeministrit shqiptar.
Edi Rama sot ka shpërndarë një videomesazh të futbollistit shqiptar Armando Broja dhe shprehet se ndihet krenar për të, por edhe për çdo shqiptar që punon dhe jeton në Mbretërinë e Bashkuar.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për BBC, ku ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se po sulmon shqiptarët për të justifikuar politikat e saj të dështuara të emigracionit dhe të ruajtjes së kufijve. Po ashtu kreu i qeverisë ka komentuar edhe deklaratën e Sekretares së Brendshme, Suella Braverman. Ai ka thënë se deklaratat e saj nuk bënin gjë tjetër veçse nxisin ksenofobinë.
“Kjo lloj gjuhe nuk është politikë, nuk është program, nuk është vizion”, është shprehur Rama.
Ministrja Braverman tha disa ditë më parë se Anglia jugore po përballej me një pushtim emigrantësh. Mes të tjerash ajo akuzoi shqiptarët se po abuzojnë me ligjet moderne të skllavërisë. Gjatë intervistës për BBC Newsnight, Rama tha se komentet e Braverman për “pushtim” ishin të “pavend” dhe se ai e kishte “të pamundur që të mos reagonte”.
“Nuk është për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe që kërkohen koka turku apo të fajësohen të tjerët. Nuk ka të bëjë me shqiptarët, të huajt, apo gangsterët, por është për politikat e dështuara për kufijtë dhe kriminalitetin. Kjo lloj gjuhe nuk është politikë, nuk është program, nuk është vizion. Është vetëm nxitje e ksenofobisë dhe shënjestrim, duke veçuar një komunitet. Unë admiroj çdo gjë që përfaqëson Britaninë. Por me të vërtetë jam i neveritur rreth kësaj politikë që në fund është e destinuar të dështojë”, është shprehur Rama.
Më herët Rama përmes një postimi në Twitter tha se Britania po diskriminonte shqiptarët për të shpërqendruar vëmendjen nga “dështimi i politikave të saj”.