Rama: Rasti i sanitares te “Shefqet Ndroqi” i neveritshëm!
Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë të Korçës e ka quajtur të neveritshëm rastin e sanitares Tire Alldervishi, e cila mori lekë të afërmve të një pacienteje me COVID.
Kryeministri u shpreh se jo një por 30 raste si rasti i sanitares të jenë nuk mund ta rrëzojnë kurrsesi investimin kolosal të mjekëve dhe infermierëve në mbrojtje të jetës së njerëzve.
“Ne kemi një trup infermierësh dhe mjekësh që është realisht për t’u respektuar dhe ka një hendek të madh midis realitetit të punës, mundit dhe sakrificave dhe perceptimit që ushqehet në mënyrë të konsiderueshme nga eksperiencat e këqija të së shkuarës, edhe nga fakti që shumëkush për fat të mirë nuk ka patur nevojë të shkojë në spital dhe të marri shërbime apo ka eksperienca të të tjerëve për kohë të tjera kur spitalet ishin në gjendje katastrofike. Por ushqehet edhe nga raste që janë të neveritshme , siç ishte dhe rasti i sanitares në “Shefqet Ndroqi” por edhe siç mund të ketë raste të tjera, por nuk mund ta rrëzojnë investimin kolosal të mjekëve dhe infermierëve dhe posaçërisht në këtë periudhë të jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor të gjithë botës kështu që njohje dhe respekt për këtë”, u shpreh Rama.