Rama: S’do ketë më drejtori Bujqësore, në Elbasan do ndërhyhet në 8 pika turistike
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar mbylljen e drejtorive të Bujqësisë në vend, duke e cilësuar një strukturë tashmë të degraduar. Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar në qytetin e Elbasanit, Rama ka komunikuar vendimet e marra, duke theksuar ndër të tjera se në vend të 13 Drejtorive të Bujqësisë, do të ketë 4 agjenci rajonale të sesionit bujqësore, dhe 4 të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve.
Kryeministri Rama tha ndërkaq se po diskutohet projekti për transformimin e zonës së ish-metalurgjikut.
“Kemi diskutuar edhe për projektin e transformimit të zonës së ish-metalurgjikut një tjetër gangrenë e së shkuarës, ku jemi shumë të fokusuar në çuarjen përpara të vizionit të kompleksit të parqeve industriale, gjë për të cilën po punojmë intensivisht. Elbasani do të jetë një prej qarqeve që ka përfitueshmërinë më të lartë nga programi i fshatrave turistike. Janë 8 zona që janë pjesë e këtij programi. Janë disa zona që kanë nevojë për ndërhyrje në mënyrë që të kthehen në zona ku mund të krijohet punësim, zhvillim përmes përdorimin të resurseve natyrore.
Kemi marrë vendimin për reformimin e strukturës së vjetër dhe të degradimit të drejtorive të bujqësisë. Nuk do ketë më drejtori të bujqësisë. Do kalojmë nga 13 drejtori të Bujqësisë në 4 agjenci rajonale të sesionit bujqësore, dhe 4 të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve. Jemi të vendosur të përmirësojmë në vazhdimësi sigurinë ushqimore.
Elbasani është një territor ku janë finalizuar 374 projekte në 4 vitet e para, pjesa më e madhe e tyre në infrastrukturë. Por kjo zonë ka nevojë për shumë më tepër akoma, ndaj ne do t’i japim më shumë vëmendje, investime, rëndësi, duke ecur drejt një rruge për të luftuar papunësinë. Elbasani është vendi ku kemi provën e prekshme të suksesit të skemës së ndihmës ekonomike”, u shpreh kryeministri Rama.
KOHA JONË SONDAZH

