Rama-studentes: Mos rri në rrugë, hajde në Kryeministri
Kryeministri Edi Rama është përballur me deklaratat e studentëve që nga protesta në Bulevard para Kryeministrisë. Ai tha në “Opinion” se studentët kanë të drejtë të protestojnë për kushtet mizerabël por se ky është një problem i mbartur dhe se për këtë i ka kërkuar ndihmë kancelares Angela Merkel.
Deklaratës së një studenteje se ndodhet në rrugë vetëm prej tij, kryeministri i ka kërkuar të vijë në dialog.
“Në qoftë se unë do isha indiferent ndaj njerëzve të jesh i sigurt se nuk do merresha me këtë punë. Të jesh i sigurt që kjo punë është larg të qenit qejf, është pasion. I shoh që e thonë sikur janë njerëz që sakrifikohen duke bërë një punë tjetër. Unë di që të gjithë studentët, në të gjithë botën bëjnë edhe punë. Ashtu sikur di që kafet e fakulteteve, rreth fakulteteve janë të mbushura me studentë.
A ka të drejtë ajo vajza që thoshte se konvikti është mizerabël, ka shumë të drejtë. Por nga ana tjetër nëse do i bënim të gjitha këto në kaq pak kohë unë s’do isha kryeministër por magjistar.
Deri në vitin 2009 ka pasur një kuotë 10 mijë studentë që akomodohej në një infrastrukturë që papritur e pakujtuar u kthye në një infrastrukturë për 30 mijë vetë.
Kjo ishte bomba demokratike që u fut në arsimin e lartë shqiptar. Pasojat e kësaj bombe vazhdojnë sot e kësaj dite.
Unë i kam thënë kancelares dua ndihmë për konviktet e studentëve. Janë 9 godina, faza e parë është 18 mln euro. Tika e Turqisë ka ardhur dhe do punojë për konviktet.
Ti them asaj vajzës atje, mos rri në rrugë, hajde të hap derën. Ka 8 pika që janë të qarta, pse rri në rrugë. Unë kam qenë aty ku është ajo vajza. As nuk i kam kërkuar leje pedagogëve e as shtëpisë që të dal atje e të flas kundër Enver Hoxhës”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

