Rama sulmon opozitën sërish nga Elbasani: I kanë pasur shanset për të treguar se kush janë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kandidatët për deputetë të PS në Elbasan, ku nuk ka humbur shansin për të sulmuar opozitën.

Koalicionin opozitar, Rama e ka cilësuar si kontratë, ndërkohë që shton se ata janë të dëshpëruar që bëjnë veprime të dëshpëruara.

Rama: Shumë gjëra kanë ndryshuar nga vitet ’90 por edhe nuk kanë ndryshuar. Nuk ka ndryshuar natyra agresive, destruktive, vulgare e politikës së vjetër që mishërohet sot në koalicionin e ri të fytyrave të vjetra që kemi përballë. E pamë në Elbasan dhe ju ftoj që të imagjinoni sikur grushtuesi i një punëdhënësi të madh këtu në Elbasan, si Gjergj Luca, të kishte qenë cilido prej nesh. Imagjinoni sikur grushtuesi i sipërmarrësit, grabitësi i telefonit të tij të ishte Taulanti, cilido. Çfarë dot ishte bërë dhe çfarë do kishin bërë?

Ne e kemi të qartë që njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe ata janë të dëshpëruar, sepse e kanë më të qartë se sa ata të cilëve i drejtohen që nuk kanë mundësinë të kenë një shans tjetër. Kanë pasur 4 shanse për ta drejtuar këtë vend dhe i kanë humbur njëri më keq se tjetri. Sot janë grumbulluar të gjithë bashkë si kurrë më parë, në një koalicion parazgjedhor, një kontratë kapje për fyti të njëri tjetrit, ndërkohë që medemek hyjnë të ndarë në zgjedhje.

Një kontratë ku pjesa e fshehtë thotë se çfarë do të marrë në përgjegjësitë e qeverisë së nesërme Monika Kryemadhi së bashku me të gjithë çetën e saj të harbuar. Demokratëve u thuhet votoni PD, për të marrë Monika Kryemadhin? Apo për të rreshtuar në qeverinë e nesërme Gon Dukën, Fatmir Mediun, Vangjel Dulen, Mesilën, Nard Ndokën, Dash Shehin e me radhë. I kanë pasur të gjitha shanset për të treguar se kush janë dhe e kanë treguar.

SHKARKO APP