Rama sulmon “të paprekshmit”: Ecin me makina të blinduara, por s’meritojnë të hipin as mbi gomar
Kryeministri Edi Rama teksa foli për ligjin special “Anti-KÇK” deklaroi se të gjitha strukturat janë gati të përballen me krimin, ndërsa paralajmëroi të ‘fortët e krimit’ se jeta e tyre do të jetë ferr në Atdhe.
“Tani më ne kemi në dispozicion një instrument jashtëzakonisht të fortë në duart e shtetit, të Policisë së Shtetit dhe OFL-së. Ligj special për marrjen e të gjitha masave ndaj atyre që janë dënuar apo janë akuzuar për krim të organizuar, apo terrorizëm. Dhe sot ne kemi një garanci më shumë; SPAK-un. Tani më SPAK është formuar dhe kjo është sprova e parë për vet SPAK, por duke pasur një besim absolut tek ata që janë bërthama e këtij institucioni të sapolindur, por të përgatitur për një kohë të gjatë në procesin e vettingun, kam besim se jemi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Kemi forcat e duhura për të bërë një ndryshim historik në marrëdhënie me krimin në hapësirat e territorit tonë.
Duhet t’ja u bëjmë të parehatshëm Atdheun atyre që janë subjekte të këtij ligji special. Atdheu për ta nuk mund të jetë sheshi për të bërë përshesh. Nuk mund të jetë shteti ndërtimit për vilat dhe bizneset e tyre që nuk burojnë nga puna, por burojnë dhe nga gjaku i komisarëve dhe policëve të vrarë. Nuk mund të jetë platforma e ekspozimit të muskujve në klube dhe hapësira të tjera publike ku të rinjtë dhe familjet mblidhen më të drejtën e tyre për të kaluar. Por duhet të jetë ferri i tyre. Ata nuk meritojnë të ecin as mbi gomar, jo dhe më tek makinat e blinduara. Pasi fyejnë dhe gomarin. E dinë drejtues të Policisë së Shtetit se sa shumë herë subjekte të këtij ligji sot janë hetuar dje, janë ndaluar, janë çuar dje para gjykatave dhe i kanë nxjerrë gjuhën të gjithë sakrificave dhe të gjithë besimit tuaj në shtet, duke dalë përsëri të lirë, pa i hyrë gjë në këmbë. Sot janë subjekte të ligjit. Jo vetëm ata që janë dënuar, por dhe ata që janë lënë të lirë. Do duhet të paraqisni prova të pasurisë së tyre”, tha Rama.