Rama sulmon Vjosa Osmanin: Erdhi për të bërë politikë kundër meje
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar Presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pak ditë më parë vizitoi Tiranën. Kështu, teksa komentoi vizitën e Osmanit në vendin tonë, Rama tha se Vjosa erdhi në Tiranë për të bërë propagandë për vota në Kosovë.
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e parë zyrtare në Tiranë shkaktoi debat, për faktin se kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në Kuvend kur ajo foli dhe se nuk mbajti një konferencë shtypi, ndryshe nga Meta, Ruçi, Basha dhe Berisha, të cilët mbajtën përkatësisht një konferencë të përbashkët me Osmanin.
“Akoma më grotesk është debati për traun. Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi i vendosur për Kosovën. Kjo është të bësh politikë të brendshme me një çështje administrative të vendit fqinj dhe të vish në Tiranë të bësh propagandë për të fituar vota në Kosovë me një demagogji dhe retorikë absurde, sepse ai tra atje nuk është kufi. Sikundër trau me pagesë që do të vihet nesër në rrugën e re Milot-Fier, që nuk është kufi mes qyteteve. Kjo është groteske, por edhe jo dashamirëse. Nëse për z. Vjosa atdheu është Kosova dhe Shqipëria, atëherë ky është një tra mes atdheut, që duhet ta paguajnë të gjithë atdhetarët. Vlen kjo për të gjithë ata që e përdorin rrugën. Faktet sot flasin qartë, shikojeni rrugën. Besoj se dhe z. Vjosa dhe gjithë të tjerët nëse duan të shohin, e shohin ndryshimin kapilar në atë rrugë, që ishte e rrezikshme dhe sot po bëhet me të gjitha standardet. Pra, këto janë dy pika që flasin qartësisht për një sëmundje që e ka prekur dhe po e gërryen politikën në Kosovë, duke bërë një alterim të funksioneve politikë e brendshme me politikën e jashtme dhe e kundërta.
Kjo është të bësh politikë të brendshme me një çështje administrative dhe të vish në Tiranë të bësh propagandë për të fituar vota në Kosovë. Nuk është kufi, sikundër trau që do të vendoset në Milot-Fier. Nuk është kufi”,-tha Rama.