Rama takim me pensionistët: Çdo janar rritje të pensioneve! Karta për artikujt bazë, jo për pijetore
Në vijim të turit të komunikimit për ”Punët e Shqipërisë”, kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me pensionistët e Njësisë nr. 2 në kryeqytet mbi zhvillimet aktuale ekonomike dhe politikat sociale, ku u theksua se kjo kategori do të ketë prioritet në skemat mbështetëse të qeverisë dhe do të përfitojë nga rritja ekonomike që u reflektua edhe në rritjen e pensioneve, por jo vetëm. Rama theksoi gjithashtu se paralelisht me rritjen e pensioneve, qeveria po punon për thellimin e reformës në këtë sektor, duke krijuar mundësi të reja kursimi për qytetarët, ku shteti do të kontribuojë për pensione më të larta në të ardhmen. Në fokus do të jetë edhe rishikimi i kuadrit ligjor për pensionistët e vetëpunësuar, ata që vazhdojnë të punojnë, si dhe përmirësimi i trajtimit financiar për personat me aftësi ndryshe.
Fjala e plotë
Faleminderit! Për çështjen e pensioneve besoj që tanimë jemi në një fazë tjetër. Ne e kemi pasur shumë problem faktin që nuk arrinim dot t’i rrisnim pensionet, faktin që ndërkohë që filluan të rriten pagat e filluan të vihen në vijë edhe investime pas një periudhe shumë të vështirë kur na u desh të lanim shumë borxhe, përsëri kur vinte puna tek pensionet dhe kishim të pamundur dhe ndesheshim në mënyrë të vazhdueshme me këtë stres nga ana e pensionistëve që realisht e kanë më të vështirë se të tjerët. E vetmja gjë që kemi bërë për vite të tëra ka qenë indeksimi i pensioneve, por indeksimi i pensioneve nuk është rritje në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe ajo që unë ju kam thënë dhe kam përsëritur në të gjitha rastet kur pyetesha ishte që e vërteta na pengonte të shkonim tek pensionet, sepse ekonomia nuk ishte në gjendje të na mbështeste një plan real rritje.
Më në fund ashtu sikundër e kishim dëshiruar dhe ashtu sikundër kishim përqendruar të gjitha forcat për t’ia dalë, erdhi momenti kur ekonomia na e krijoi këtë mundësi dhe për këtë arsye duke filluar nga janari i këtij viti juve merrni pensione më të larta dhe për këtë arsye në çdo janar pensioni do të rritet për gjithë muajt në vijim të çdo viti dhe janarin e ardhshëm rritja do të jetë dyfishi i rritjes së këtij janari. Janarin e 2028-s rritja do të jetë trefishi i këtij janari, në 2029 katërfishi dhe në 2030 pesëfishi, për të arritur tek ajo shumë, e cila na jep mundësinë që të realizojmë objektivat që kemi shpallur për ju dhe në ndërkohë mbi bazën e një plani të mbështetur financiarisht nga buxheti dhe të planifikuar në buxhet, i cili nuk lëviz dhe thënë kjo, ne ndërkohë kemi diskutuar edhe për të tjera ndryshime që do të bëjmë në skemën e pensioneve për të thelluar reformën e pensioneve, duke filluar të krijojmë edhe një hapësirë tjetër për të gjithë ata që do duan të kursejnë më shumë për të pasur një pension më të lartë në të ardhmen, ku shteti do të fusi kontributin e vetë.
Po ashtu do të rishikojmë edhe skemën aktuale për pensionistët e vetëpunësuar dhe për ata të që vazhdojnë të punojnë, pasi ka dhe aty hapësirë për të bërë disa disa axhustime, të cilat përsëri shkojnë në favor të pensionistëve, në ndërkohë që kemi diskutuar edhe mbështetjen për invalidët, të cilët kanë të drejtë të kërkojnë, që të trajtohen në mënyrë të barabartë. Për momentin kanë një kanë një diferencim, por e vërteta është që sidoqoftë ai që për shkak të punës ka humbur aftësinë për punë, nuk mund të lihet mbrapa atij që s’ka punuar asnjëherë, për shkak të aftësive dhe do ta korrigjojmë dhe këtë.
Por thelbi i gjithë këtyre që po them është ekonomia, është ndryshimi domethënës i ekonomisë tonë që na i jep këto mundësi, se të gjitha këto janë gjëra të drejta. Lajmi i mirë sot është që i kemi këto mundësi.
Lajmi i mirë sot është që kemi kaluar në një tjetër nivel, qoftë në aspektin e Prodhimit të Përgjithshëm. E kemi marrë vendin me nën 10 miliardë euro në total dhe sot jemi në afro 27 miliardë. E kemi marrë vendin me të ardhura për frymë nën 3 000 euro në vit, sot jemi mbi 11.000 euro dhe vetëm nga 2024 në 2025-ën të ardhurat për frymë janë rritur me mbi 1000 euro në vit, që do të thotë jemi në kushtet kur, edhe rritja ekonomike e qëndrueshme na ndihmon, të adresojmë shumë çështje që duheshin adresuar, por s’mund të adresoheshin. E kemi marrë vend me 2 milion e ca turistë, ndërkohë që sot jemi tek 12 milionë turistë vizitorë me pasaporta të huaja, ku hyjnë edhe ata shqiptarë që kanë pasaporta të huaja, patjetër, që vijnë në Shqipëri për pushime, po kështu kalkulohen në të gjithë botën. Pasaportat e huaja 12 milionë dhe në atë kohë kemi pasur 300-400 milionë euro investime të huaja mesatarisht, sot jemi mbi 1.5 miliard dhe prapë ka hapësirë për të bërë më shumë dhe prapë kemi plane për të bërë më shumë.
Por ajo që juve e dini shumë mirë dhe ju faktikisht politikën e dini më mirë se të tjerët edhe prandaj në shumicë dërmuese votoni që kjo qeveri të vazhdojë punën se e njihni më mirë politikën se të tjerët. Dhe duke qenë se ju e ndiqni politikën aktivisht dhe e njihni politikën më mirë se 99% e deputetëve të parlamentit të Shqipërisë, unë dua të them diçka tjetër që kemi pasur një rrugë të vështirë edhe për një arsye që siç e shihni është gjithmonë më e pranishme. Gjërat që ndodhin jashtë vullnetit tonë, gjërat që nuk i vendosim ne, po duhet t’i përballim, që nga pandemia e tërmeti, tek lufta në Ukrainë dhe tani tek lufta në Lindjen e Mesme, që vjen këtu tek çmimi i naftës, i cili befasisht kërcen jashtë çdo lloj parashikimi dhe që shpresojmë që ai armëpushimi 15 ditor, të çojë në një zgjidhje përfundimtare përpara se sa ai çmimi i naftës, simptoma e parë, të shfaqet pastaj edhe tek çmimet e ushqimeve dhe nëse do shfaqet te çmimet e ushqimeve dhe do të jetë diçka me të cilën ne duhet të përballemi, sigurisht që ne gjëja e parë që do mendojmë jeni ju pensionistët, patjetër, të tjerët vijnë mbrapa.
Ju jeni të parët dhe bashkë me ju edhe familjet sigurisht në nevojë që janë në mbrojtjen ekonomike të qeverisë, për të cilat jemi duke përgatitur dhe një skemë të re të bazuar tek një kartë e shpenzimeve familjare në bazë të shportës, në mënyrë që ato lekë që ata marrin nga taksat e shqiptarëve të shkojnë për familjen, për fëmijët e tyre dhe asnjë lek të mos përfundojë në pijetore apo të mos shkojë në bixhoz dhe kjo është e rëndësishme. Por ndërkohë duke bërë këtë ato lekë të cilat përmes kartës do të mund të shpenzohen me artikujt bazë në çdo lloj dyqani, në çdo lloj pike ku blihen ushqime të jenë të gjitha me TVSH në mënyrë që ajo TVSH-ja, që sot në shumë raste merret mënjanë nga shitësi të shkojë prapë në buxhet dhe nga ai buxhet të kthehet tek ju, të kthehet tek ata dhe jo të merret dhe t’i fshihet shtetit nga shitësi.
Në ndërkohë që sigurisht ne duhet duam të vazhdojmë të rrisim dhe pagat. Sot pagat në Shqipëri po rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe në sektorin privat. Sot në sektorin privat në Shqipëri nuk është më pyetja: Sa do të jap rrogën? Po ku do ta gjej personin e duhur që të më bëjë këtë punë? Dhe sot Shqipëria është më tërheqëse dhe për investimet e huaja siç e thashë, është më tërheqëse edhe për zhvillime të cilat deri dje ishin të paimagjinueshme dhe të gjitha këto edhe pagat e rritura prapë shkojnë në favor të shtetit në disa drejtime dhe një nga ato drejtime është që kthehen përsëri në formën e pagesës së sigurimeve shoqërore tek ju.
Dua të shtoj edhe diçka tjetër se ju intereson juve më shumë sesa këtyre që janë nëpër këto tenxheret e mediave, se jam i bindur që i keni parë edhe ju; “u bllokua anëtarësimi”, “u bllokua integrimi”, “u ndalua përparimi”, por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që negociatat vazhdojnë sipas planit dhe në këtë fazë jemi në kushtet kur kemi hapur, të gjithë kapitujt e negociatave dhe tani jemi duke diskutuar me Komisionin Europian, duke negociuar ato që quhen piketat e ndërmjetme, që janë një sërë piketash të ndërmjetme me të cilat bie dakord me Komisionin Europian, që për x gjëra afatet janë këto, për x gjëra të tjera janë këto, për x gjëra të tjera janë këto dhe këto qëndrojnë si një aneks në procesin e negociatave që do të thotë që fundi i marsit dhe prilli ishin të planifikuara në kalendarin e punës tonë me komisionin si momenti i diskutimit mes nesh dhe vendeve anëtare për piketat e ndërmjetme.
Na ka ardhur sot ne në dorë fati i këtij vendi dhe nuk i ka buzëqeshur Shqipërisë kurrë më parë si sot, fati, sepse kurrë më parë si sot Shqipëria nuk i ka pasur të gjithë të mëdhenjtë me vete. Ne kemi bërë tonën për të arritur këtu, por është dhe interesi i tyre që ne të na marrin brenda dhe ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë moment. Shfrytëzimi i këtij momenti është detyrë historike e çdo shqiptari dhe patjetër është misioni i partisë tonë. Ne jemi pjesë e të njëjtës forcë politike dhe nuk kemi pse ta fshehim këtë gjë, përkundrazi. Ju falënderoj shumë për durim e madh që treguat duke më dëgjuar dhe duke qenë se kemi ardhur nëse keni ndonjë pyetje, ndonjë shqetësim, ndonjë gjë për të thënë: bujrum çfarë të keni, me aq sa e kemi mundësinë do t’ju japim përgjigje. Po nuk e patëm, do shkojmë të informohemi dhe t’ju çojmë fjalë.
– Përshëndetje zoti kryeministër. Aktualisht jam oficer në lirim, paguar me pension të parakohshëm. Desha të ngrejë problem të jo personal vetëm, por të gjithë kategorisë së ushtarakëve që aktualisht janë në pension të parakohshëm. Ligji aktual na pengon punësimin realisht dhe jo vetëm punësimin, por dhe kontributin tonë.
Kryeministri Edi Rama: Ekzaktësisht për këtë gjë fola kur thashë që jemi në një diskutim po ja kaloj ministres të ta shpjegoj ekzaktësisht se çfarë do bëjmë për këtë se jemi të vetëdijshëm për këtë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj: Siç është ligji aktualisht juve po të vazhdoni të punoni dhe të tërhiqni pensionin paguani kontribute dhe nuk merrni asnjë lloj bonusi shtesë në llogaritjen e pensionit. Ndërkohë që me ndërhyrje që do bëjmë këtë vit që do hyjmë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, të gjithë pensionistët që marrin një pension të parakohshëm, që vazhdojnë të punojnë, do derdhin kontribute, por ndërkohë do marrin bonus mbi kontributet. Pra, pensioni, këto kontribute që do derdhen do ju llogariten si pension shtesë në momentin që do e përfundojnë periudhën e punësimit. Pra dhe do ta tërhiqni pensionin dhe do merrni pagën, do të paguani kontribute dhe pensioni kur ta përfundoni të gjithë periudhën e punësimit do ju dalë më i lartë se ai pensioni i parakohshëm që jeni duke marrë. Kjo është ndërhyrje që ne do të bëjmë këtë vit me qëllim që të gjithë ata që kanë fuqi të punojnë, të gjithë ata që kanë kualifikim, se ne mezi i presim personat e kualifikuar, të vazhdojnë të punojnë dhe të kenë dhe incentiv që t’ rritet pensioni në të ardhmen.
– Edhe se pengesa realisht është edhe te punësimi, ok, sektori privat është po normalisht është një pagë mesatare dhe aktualisht i bie që të punosh për 20 mijë lekë, 25 mijë lek të reja maksimumi në muaj. E dyta është që në institucione të tjera qoftë dhe shtetërore në shumë raste na quajnë overqualified edhe nuk e di, ka vështirësi realisht. Ju falënderoj në qoftë se keni menduar për kategorinë tonë sepse është realisht problem. Faleminderit!
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj: Sidomos për profesione të veçanta madje ne do të kemi një vëmendje të shtuar që profesionistët t’i mbajmë në punë dhe të mund edhe të japin kontribut akoma, edhe të mund t’i paguajmë akoma më shumë, sepse kemi disa profesione, nuk e di specifikisht rastin tuaj, po kemi disa profesione, të cilat janë në zhdukje dhe kemi interes që edhe t’i paguajmë më shumë edhe t’i mbajmë më shumë në punë edhe në shtet edhe në privat.
– Ky brezi që jemi këtu jemi dëshmitarë okular të punës suaj. E vlerësojmë themi se kemi rënë në dorë tamam një dorë që mendon për ne. Unë kam kaluar tetë dekada, por kemi disa probleme që ka mundësi të zgjidhen shumë thjeshtë. Kryeministër kemi probleme me strehimin e fëmijëve.
Kryeministri Edi Rama: Ne tani do ta miratojmë programin e ri të kredive për punonjësit e rinj të shtetit dhe ndërkohë po bëjmë një program tërësisht të ri për strehimin në tërësi sepse ky është një problem i madh. Është problem kudo që të jemi të qartë në gjithë botën, në gjithë Europën. 94% e banesave në Shqipëri janë pronë private, pra janë të njerëzve, kështu që vendet e tjera e kanë shumë më të ulët dhe aty ku prindërit nuk kanë pronën, rëndesa mbi fëmijët bëhet dhe më e madhe se nuk blejnë dot një shtëpi, por dhe shtëpitë me qera që kanë prindërit nuk i mbajnë dot e tjerë e tjerë. Ne këtu e kemi këtë problem dhe ajo kredia do ripërtërihet çdo vit. Vjet ishte viti i parë, e mësuam dhe ne nga mënyra si funksionoi. Mirë, ju falënderoj shumë! Do shihemi prapë, shpresoj, por juve do na ndihmoni që të ecim bashkë përpara.
KOHA JONË SONDAZH







