Kryeministri: Nafta do të rritet më tej. Ulje 20% e akcizës kur çmimi kapërcen 220 lekë
Kryeministri Edi Rama tha sot nga Asambleja e Partisë Socialiste se çmimi i naftës parashikohet të rritet.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se nëse çmimi kalon vlerën 220 lekë do të ketë ulje me 20% të akcizës së karburantit.
“Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje. Ndaj kemi vënë në lëvizje bordin e transparencës, e kemi përdorur edhe më parë. Po ashtu kemi marrë një vendim për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve do të ketë ulje me 20% të akcizës së naftës.
Nga ana tjetër kemi deklaruar më parë dhe tani jemi në një fazë të avancuar të formësimit të një entiteti shtetëror, i cili do të ndërhyjë në tregun e naftës që do të krijohet së shpejti. Është duke u punuar për këtë dhe ky entitet do të marrë përsipër një veprimtari që do të shkojë nga garantimi i rezervës shtetërore, te monitorimi i vazhdueshëm i tregut dhe patjetër edhe te sigurimi i furnizimit për të mos lejuar asnjë spekulim me çmimet.
Deri tani nuk shohim imapkt përveç naftës, te të tjerat çmime. Jemi në kushte ku kemi një borxh dhe deficit jo vetëm të ulët, që na mundëson që në momente të tilla të kemi dhe hapësirë në dispozicion për të mos lënë vetëm askënd, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë. Ne këtu në këtë fazë që nuk e di askush se sa do të zgjasë, në radhë të parë kemi në vëmendje pensionistët dhe nuk do të bëjmë asgjë që nuk do të shkojë për të siguruar ata për së pari. Nuk do të lejojmë asnjë spekulim me çmimet. Jemi në fund të një procesi që do të materializohet në 1-2 muajt në vijim, për të futur në përdorim kompetentë të rij në monitorimin e naftës, për të shmangur evazionin dhe kontrabandën e naftës, e cila vazhdon të jetë prezentë në treg”, tha Rama nga mbledhja e Asamblesë së PS.
KOHA JONË SONDAZH

