Rama vendos “kokën e prerë” të ish-ministrit Bushati te Porta e Kalasë së Shkodrës!

Në mediat e Kosovës dje qarkulloi një lajm, i nisur nga PS-ja në Tiranë, sikur ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati po firmoste letrat për kalimin me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit në Kosovë. Ish-ministri i Jashtëm, i pyetur dje nga “Koha Jonë” për ato çfarë shkruajnë mediat në Kosovë tha se çdo gjë ishte mashtrim. E gjitha është një lojë e kryeministrit për të mos kandiduar kundërshtarët e tij në PS. Në të vertetë Ditmir Bushati është i vetmi zë publik në Partinë Socialiste që ka guximin të thotë hapur ato që mendon. Ishte i vetmi ministër që e kundërshtoi publikisht Edi Ramën për pazaret që po bëheshin me Serbinë për territorin e Kosovës. Ky kundërshtim i kushtoi postin e Ministrit të Jashtëm. Bushati është i vetmi deputet i PS që në Kuvend dhe në media, thotë gjëra që socialistët e tjerë kanë frikë edhe ti mendojnë përballë Edi Ramës. Ish-ministri ngriti alarmin për dëmet që po i sillte politika konflikuale e Edi Ramës me opozitën dhe ishte i vetmi socialist që kërkoi konsensus para dhe pas djegies së mandateve nga opozita. Është i vetmi deputet i PS që ka mbetur i majtë dhe që flet në Kuvend për taksat, ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Po ashtu, Ditmir Bushati është socialisti i vetëm që ka folur për rrezikun e oligarkëve në Shqipëri, për kapjen e sistemit ekonomik nga një grup prej 10-15 vetash dhe për kontrollin prej tyre të jetës politike dhe sociale. Të gjitha këto akuza, të thëna me stilin diplomatik të një ish-ministri të Jashtëm, e kanë bërë Ditmir Bushati “delen e zezë” në Partinë Socialiste. Nuk ka bërë asnjë akt kundër qeverisë që të mund ta përjashtoi nga PS, por ka folur ato që të tjerët nuk guxojnë t’ja thonë Edi Ramës. Për këto arsye, kuotat e tij politike te socialistët dhe në opinion janë më të larta sesa të çdo figure tjetër që ka mbetur në selinë rozë. Duke mos i gjetur asnjë shkak për përjashtim nga partia, në PS kanë nisur skemat sesi të gjejnë një mënyrë për ta “vetëlarguar”. Lajmet që prodhohen në Prishtinë, janë pikërisht pjesë e kësaj skeme Rilindase për të sulmuar Ditmir Bushatin.

Por ish-ministri i Jashtëm nuk është i vetmi në PS që po njeh format e reja të linçimit dhe përjashtimit politik. Edi Rama synon në këto zgjedhje të bëjë spastrimin final të Partisë Socialiste. Një pjesë ish-ministrave dhe deputetëve të cilët ai i sheh si rrezik potencial për të ardhmen e tij do të skualifikohen me dorë të hekurt. Ndryshe nga zgjedhjet e para, kur Edi Rama kishte frikë të prishte balancat e brendshme në PS, tashmë kryeministri ka kontroll të plotë dhe mund të bëjë ato që nuk guxoi herët e tjera. Emra me peshë në PS, njerëz me kontribut historik, këtë herë duket se nuk do t’i shpëtojnë spastrimit të madh. Deputetët që këto vite kanë tentuar të ngrënë krye apo kanë krijojnë qendra të tjera pushteti në PS, janë rrethit të Edi Ramës do të përjashtohen nga procesi i rikandidimit. Edi Rama nuk po mendon thjesht për fitoren e zgjedhjeve, por për krijimin e grupit të deputetëve dhe njerëzve që do të mbrojnë atë gjatë kalimit në opozitë. Për të qenë i sigurt në periudhën e vështirë opozitare, kryeministri do të mbajë afër vetëm besnikët e verbër, ministrat që i shantazhon me dosje dhe deputetët që mbushin xhepin e PS dhe të Rilindjes. Kryeministri po përgatitet për humbjen e pushtetit. Për shkak të zullumeve që ka bërë, e di se që ditën e parë pa pushtet do të jetë politikani më i rrezikuar nga të gjitha anët. Ndaj i duhen vetëm servilët dhe ata që i mban peng me dosjet e qeverisjes.

Pas Ditmir Bushatit, kryeministri ka listën e zezë në xhep për disa emra të tjerë, të cilët do ti palosi këtë herë, duke mos i kandiduar ose në rastin më të mirë, do ti fus në listë nga fundi, ku nuk kanë asnjë shans të zgjidhen deputet.

Koka e Ditmirit po lëkundet në dyert e “kalasë së Shkodrës” për t’ju futur frikën kundërshtarëve në PS.

/Mili Xhani/

SHKARKO APP