Rama vijon të tregojë për telefonatën “premtuese” me Merkel
Edhe njëherë tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, flet për telefonatën e sotme të kryer me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. I ftuar në ”Opinion”, kreu i qeverisë tha se Merkel është e angazhuar plotësisht për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. ”Më mori sot kancelarja në telefon. Praktikisht më kanë marrë dhe kam telefonata me të gjithë. Kur kancelarja e Gjermanisë merr në telefon dhe flet për si ndodhi me negociatat, pse ndodhi dhe çfarë duhet të bëjmë bashkërisht, që kjo që ndodhi ta ndryshojmë dhe të bëjmë gjënë e duhur, por cila është kjo? Kjo është hapja e negociatave. Merr në telefon sepse është e përfshirë në këtë proces jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë vendet e Ballkanit. Si shpjegohet kjo që Gjermania e angazhuar bisedon me ne për të rakorduar lëvizjet e radhës me vendet që janë problematike me vendimmarrjen e negociatave”.