Rama vizitë zyrtare në Amerikë, fjalim në OKB dhe takim me shqiptarët
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të udhëtojë edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare do të jetë pjesë e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që zhvillohet në Nju Jork nga 22 deri më 28 shtator. Sipas axhendës paraprake, Rama pritet të mbajë fjalimin e Shqipërisë në paraditen e 25 shtatorit, në orën lokale amerikane. Këtë vit, përfaqësimi i Shqipërisë në OKB i është besuar kryeministrit.
Përmbajtja e fjalimit të Ramës ende nuk është bërë publike, por një nga temat që mund të jetë pjesë e deklaratës së tij është edhe vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Po ashtu Rama pritet të zhvillojë edhe takime me komunitetin shqiptar. Një prej tyre raportohet se do të zhvillohet më 20 shtator në Michigan.
Më 24 shtator, kryeministri është i ftuar në Galanë e Komunitetit Shqiptar në Nju Jork, e organizuar nga Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane. Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë figura politike, diplomatë dhe përfaqësues të diasporës shqiptare, ndërsa mes të ftuarve janë edhe Edi Rama e Sali Berisha. Gjatë mbrëmjes pritet të nderohet edhe Presidenti amerikan Donald Trump me titullin “Knight of the Order of Scanderbeg”.
Vizita e Ramës në SHBA pritet të ndërthurë angazhimet në skenën ndërkombëtare me takimet politike dhe aktivitetet me diasporën shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

