Rama: Vota e diasporës një akt historik i vendimmarrjes për integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri Edi Rama, përmes një mesazhi urimi këtë të dielë në mëngjes, ka shfrytëzuar rastin për të përcjellë një lajm të rëndësishëm për diasporën shqiptare: mundësinë për të votuar për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit.

Në mesazhin e tij, ai jo vetëm që e konsideron këtë si një arritje domethënëse për përfshirjen e shqiptarëve jashtë vendit në jetën politike të Shqipërisë, por edhe si një hap drejt konsolidimit të demokracisë dhe shtetit modern shqiptar.

Rama vuri në dukje se kjo është hera e parë që shqiptarëve në diasporë ju mundësohet e drejta e votës.

“Ftoj secilin prej jush të regjistrohet si zgjedhës deri më datë 4 mars, për Partinë Socialiste si rrugën e vetme që do të ndërtojë shtetin modern shqiptar e që brenda pak vitesh do ta bashkojë me familjen e madhe të BE-së”, tha Rama.

Nëse votës së shqiptarëve të Shqipërisë do t’u shtohen për herë të parë edhe vota e shqiptarëve të Europës dhe botës, vijoi kryeministri, kjo do të thotë pikërisht sepse ne luftuam, duruam, por në fund e bëmë atë që premtuam.

“Dhe kush ndër ta mendon se ne ja ngritëm kokën Shqipërisë dhe në botë duhet të regjistrohet pa humbur kohë që me votën e vet për PS të investojë për rritjen e mëtejshme të prestigjit të këtij vendi dhe të bërit të mundur që bijtë e sotëm të jenë qytetarët kryelartë të barabartë mes të barabartësh në familjen e bashkuar europiane”, u shpreh ai.

Rama u bëri thirrje atyre të mos e lënë për ditën e fundit, por të futen në faqen e KQZ-së, në internet dhe të regjistrohen.

“Regjistrohuni për të votuar më 11 maj dhe mos e vini kurrë në dyshim vota e çuar tek cilido tjetër, është një gur i hedhur në ujë, në kënetën e një opozite bretkosash. Vota e sjellë tek ne është një gur i vendosur në muret e reja të shteti modern europian shqiptar, të cilat po shtrihen dhe po forcohen vit pas viti, në të gjitha fushat e jetës shqiptare, për t’ju bashkuar edhe për pak vite kalasë së Europës së bashkuar, ku më në fund do të valëvitet edhe flamuri më i bukur në botë”, u shpreh Rama.

Duke e lidhur këtë të drejtë me vizionin e tij politik, Rama e prezanton Partinë Socialiste si alternativën e vetme që mund të ndërtojë një Shqipëri moderne dhe ta afrojë atë me Bashkimin Evropian. Ai i bën thirrje shqiptarëve të diasporës të regjistrohen si votues deri më 4 mars, duke e vendosur këtë proces jo thjesht si një akt demokratik, por edhe si një zgjedhje që përcakton drejtimin e vendit.

Ky mesazh mbart një ngarkesë të qartë politike, pasi jo vetëm shpall një të drejtë të re për diasporën, por edhe e kanalizon këtë mundësi drejt një mbështetjeje të qartë për qeverinë aktuale dhe projektin e saj për integrimin e Shqipërisë në BE.

Në një postim të dytë të bërë në rrjetet sociale, Rama shkruan: “Të gjithë duhet ta dinë mirë, njësoj siç e di shumica e shqiptarëve, se kjo nuk është koha për të lozur me fatin e Shqipërisë, duke e djegur votën në oxhakun gjithë blozë të një partie të vjetër, që të vetmen gjë demokratike ka llagapin e saj, apo në mangallët e ca partiçkave të reja, që të vetmen gjë të re kanë moshën e pronarëve të tyre”

Kjo është një deklaratë politike dhe sulm ndaj atyre pretendimeve dhe akuzave, që vijnë nga kampi opozitar, i cili gjithashtu ka pretendime në këto zgjedhje të maksimizojë synimet e saj përmes votës së diasporës.
AV

SHKARKO APP