Rama zëvendëson një tjetër emër në ekipin e negociatorëve me BE
Pas Zef Mazit, kryeministri Edi Rama ka bërë dhe një zëvendësim tjetër për ekipin që do të drejtojë punën për Integrimin në Bashkimin Europian. Sipas vendimit të qeverisë të publiuar në fletoren zyrtare, Juliana Latifi zëvendësohet me ish-kreun e KQZ-së Denar Biba. Latifi, ishte negociatore për kapitullin 5. Vendimi i qeverisë u mor më 25 korrik, ku Rama shkarkoi negociatorin Zef Mazi dhe në vend të tij emëroi Majlinda Dhukën. Kjo e fundit do të jetë dhe në krye të ministrit të Shtetit.
VENDIM Nr. 520, datë 29.7.2022
PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 422, DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe në vijim të vendimit nr. 749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Në vendimin nr. 422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, të kreut I, bëhen këto ndryshime:
i. Fjalët “z. Zef Mazi, Kryenegociator;” zëvendësohen me “znj. Majlinda Dhuka, ministër Shteti dhe Kryenegociator (në vijim “Kryenegociatori”)”;
ii. Fjalët “znj. Juliana Latifi” zëvendësohen me “z. Denar Biba”.
b) Në kreun II bëhen këto ndryshime:
i. Në fjalinë e parë, të pikës 1, hiqen fjalët “… barazohet me ministrin e shtetit dhe,”;
ii. Në fjalinë e dytë, të shkronjës “k”, të pikës 1, hiqen fjalët“… përmes ministrit përgjegjës për Evropën dhe punët e jashtme …”;
iii. Pika 3 shfuqizohet.
c) Në kreun V bëhen këto ndryshime:
i. Pika 5 shfuqizohet;
ii. Në pikën 7 hiqen fjalët “… Kryenegociatori dhe …”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit dhe Kryenegociator dhe grupi negociator për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR Edi Rama