KRYEMINISTRI RAMA:MORATORIUMI 10-VJEÇAR I PYJEVE NJË KTHESË HISTORIKE

Nga Edi Rama.

Shkatërrimi i pyjeve, shkatërrimi i shtretërve të lumenjve, shfrytëzimi barbar për lëndë drusore e për lëndë ndërtimi i tyre, si dhe shkatërrimi i infrastrukturës mbrojtëse, pritave, argjinaturave, kanaleve kullues, na ka sjellë vit pas viti në buzë të një humnere. Të cilën ne prej dy vitesh kemi ndërmarrë hapa e masa për ta shmangur. Por sot, pas dy vitesh jemi në kushtet kur duhet të hedhim një hap të madh më tutje, me kurajë dhe vendosmëri; hapin për dy ndërhyrje madhore. Së pari moratoriumin ose ndalimin 10-vjeçar të shfrytëzimit të pyjeve për qëllime fitimi, për qëllime industriale, për qëllime tregtare, për çdo qëllim që shkon përtej nevojës jetike të banorëve të zonave të ndryshme për t’u ngrohur gjatë dimrit. Së dyti, Paketën kundër Krimit Mjedisor.

Në periudhën 1945-1990, shfrytëzimi i pyjeve për nevoja të një sistemi dhe të një politike të caktuar, ka qenë 2-3 herë më i lartë se sa rritja vjetore natyrore e pyjeve. Pra, nëse i referohemi standardeve të sotme të Bashkimit Europian edhe periudha ‘45-90 ka qenë jashtë çdo standardi në shfrytëzimin e pyjeve. Përfytyroni tani periudhën ‘90 dhe këtej, duke patur parasysh që vetëm në periudhën e qeverisjes së mëparshme, 2007-2013, janë prerë dhe janë djegur 216.074 hektarë pyje në rang vendi, ose 17% e totalit të fondit pyjor të Republikës së Shqipërisë; pa llogaritur batërdinë e viteve 91-92 e 96-97. Keqadministrim ekstrem shoqëruar nga një aktivitet i tërë kriminal dhe ilegal, përhapur si kancer në të gjithë territorin e pyllëzuar të vendit.

Ndërkohë që, vetëm në periudhën 2007 dhe 2013 janë shkatërruar dhe janë djegur 216.074 hektarë pyje, në periudhën 1990-2013 sipërfaqja totale e pyllëzuar ose ripyllëzuar është 2.674 hektarë. Me këto ritme dhe këtë raport shkatërrim-pyllëzim ku ne gjetëm vendin dy vjet e gjysëm më parë, mund ta përfytyrojmë pa asnjë vështirësi, Shqipërinë e 15 viteve më pas, si një vend tërësisht lakuriq, të qethur dhe të rruar në 28 mijë kilometra katrorët e vet dhe pa dyshim, të përmbytur një herë e mirë.

Në 2013-ën ka nisur një kthesë e rëndësishme që është ende larg së qeni një kthesë e plotë, pasi vetëm në 2014-2015, ndryshimi pozitiv në këtë aspekt është ky: 2,5 milionë fidanë pyjor të mbjellë dhe një sipërfaqe e pyllezuar prej 2 mijë hektarë – e barabartë me thuajse 80% të sipërfaqes së pyllëzuar nga 1990 në 2013-ën. Por, sigurisht që, kjo nuk mjafton aspak.
Prandaj do të miratojmë me urgjencë Moratoriumin e Pyjeve për 10 vjet që ta lejojmë natyrën të bëjë pjesën e saj të ripërtëritjes së pyjeve dhe do të rrisim ndëshkimet për këdo që guxon ta prekë atë për qëllime fitimi.

SHKARKO APP