Rama:Zerim i kamatvonesave. Do të ketë prapë të tjera falje

 

Nga Edi Rama.

ZERIM I KAMATËVONESAVE NË KËMBIM TË PAGESËS SIMBOLIKE PREJ 10 LEKËSH PËR 22253 FAMILJE NË NDIHMË EKONOMIKE QË KANË RESPEKTUAR AKTMARRËVESHJEN ME OSHEE, DUKE PAGUAR RREGULLISHT FATURËN MUJORE DHE KËSTIN E MUJOR TË DETYRIMEVE TË PRAPAMBETURA

ZERIM I KAMATËVONESAVE NË KËMBIM TË PAGESËS SIMBOLIKE 100 LEKË PËR 4097 BIZNESE TË VOGLA QË KANË RESPEKTUAR AKTMARRËVESHJEN ME OSHEE DUKE PAGUAR RREGULLISHT FATURËN MUJORE DHE SHLYER TË GJITHA DETYRIMET E PRAPAMBETURA,

Por jo vetëm. Më poshtë deklarata e plotë, gjatë komunikimit me median, për masat e reja lehtësuese që suksesi i reformës në energji bën të mundur sot për ato familje dhe biznese që i kanë qendruar korrekt aktmarrëveshjeve me OSHEE:

Mirëdita të gjithëve!

Përpara disa ditësh, ne i dhamë një lajm shumë të mirë biznesit të vogël. Sot kemi një lajm të mirë për familjet në nevojë dhe bizneset e vogla, që kanë lidhur aktmarrëveshjet me OSHEE dhe i kanë qëndruar korrekt termave të aktmarrëveshjes.

Janë 25.051 persona, me statusin e përfituesit të ndihmës ekonomike, të cilët përmes aktmarrëveshjeve të posaçme për këtë kategori kanë nisur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura me këste mujore prej 1 mijë lekë të reja në muaj. Vlera totale e detyrimit ndaj OSHEE të kësaj kategorie familjesh të përfshira në aktmarrëveshje llogaritet në 9,7 miliardë lekë ose 97 milionë dollarë, nga të cilat 5,4 miliardë ose 54 milionë dollarë janë detyrime për principalin dhe 4,3 miliardë ose 43 milionë dollarë janë detyrime që rrjedhin nga kamatëvonesa.

22.253 nga 25.051 familjet e përfshirat i kanë respektuar me korrektesë kushtet e aktmarrëveshjes, duke likuiduar rregullisht çdo muaj, bashkë me faturën korente mujore të energjisë elektrike, edhe vlerën e këstit prej njëmijë lekë në muaj.

Duke i falenderuar përzemërsisht të 22.253 familjet në fjalë dhe duke vlerësuar publikisht shembullin e tyre dinjitoz në respektimin e ligjit, por duke u nisur edhe nga fakti që reforma në energji, falë mbështetjes popullore që ka marrë, po jep rezultate shumë të mira, është vendosur që këtyre konsumatorëve shembullorë, megjithëse në vështirësi të posaçme ekonomike, barra e kamatëvonesave t’u hiqet përfundimisht, përkundrejt një pagese, në një herë të vetme, prej 10 lekësh të reja (100 lekë të vjetra). Mjafton që të paguajnë 100 lekë të vjetra dhe fshihet nga sistemi gjithë barra e kamatëvonesës.

Efekti financiar i kësaj mase inkurajuese për shembullin pozitiv, por sigurisht edhe lehtësuese për ekonominë e këtyre familjeve, është 3.705 miliardë lekë ose rreth 37 milionë dollarë.

Vlera mesatare që përfiton çdo person i kategorisë në nevojë llogaritet 166.528 lekë ose 1.665 dollarë.

Kushti për ta përfituar këtë ulje drastike dhe faktikisht, këtë pagesë simbolike të vlerës së kamatëvonesës, është paraqitja në sportelet e OSHEE për përditësimin e të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike, kryerja e pagesës prej 10 lekësh të reja (100 lekë të vjetra), për të fshirë kamatëvonesën dhe për rrjedhojë, ndryshimi i kontratës aktuale për vazhdimin normal të pagesës së detyrimeve të prapambetura me këste të barabarta si deri tani, 1 mijë lekë në muaj.

Afati i përfitimit nga kjo masë lehtësuese është 31 janari i vitit të ardhshëm.

Ndërsa 2.798 konsumatorëve të po kësaj kategorie, të cilët e kanë lidhur një aktmarrëveshje lehtësuese dhe nuk kanë respektuar kushtet e saj, duke mos paguar në kohë faturën e konsumit mujor të energjisë elektrike, ose vlerën e këstit 1 mijë lekë për detyrimet e prapambetura, do t’u jepet mundësia që deri në 30 qershor të vitit të ardhshëm të ndjekin shembullin e përfituesve të sotëm. Kjo do të thotë se, nëse këto familje do të paguajnë rregullisht deri në 30 qershor 2016, faturën mujore të konsumit të energjisë, si dhe këstin njëmijë lekë të principalit për detyrimet e prapambetura, edhe ata do të përfitojnë shlyerjen e kamatëvonesave me vetëm 10 lekë në muajin korrik.

Shërbimet sociale llogarisin se rreth 7 mijë persona, të cilët gëzojnë statusin e përfitimit të ndihmës ekonomike nuk e kanë lidhur aktmarrëveshjen lehtësuese, – nuk kanë arritur në kohë, apo nuk kanë dashur, – për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Atyre do t’u jepet një mundësi e re nga OSHEE, që të hyjnë në një marrëveshje të re, sigurisht jo me të njëjtin këst mujor, se nuk mund të përfitojnë njësoj si ata që e bënë që në fillim, por me një këst mujor të detyrimeve të prapambetura prej 1200 lekësh (12 mijë lekë të vjetra).

Për të gjithë ata që zbatojnë aktmarrëveshjen e re, siç bënë përfituesit e sotëm, në fund të vitit të ardhshëm do të krijohet mundësia e fshirjes së kamatëvonesave me një pagesë të vetme, jo 10 lekë, por 20 lekë (jo 100 lekë të vjetra, por 200 lekë të vjetra).

Së dyti, bazuar nga të dhënat që ne disponojmë dhe analiza e portofolit për kategorinë biznes i vogël rezulton se rreth 4097 subjekte të kategorisë biznes kanë detyrime vetëm për kamatëvonesa, pra, e kanë paguar tanimë në total gjithë pjesën e detyrimit të prapambetur që rrjedh nga fatura e konsumit të energjisë elektrike dhe e kanë paguar në mënyrë korrekte faturën korente mujore.

Për këtë kategori, pra, për 4097 subjekte të biznesit të vogël që kanë shlyer të gjitha detyrimet e prapambetura, kamatëvonesa do të reduktohet e tëra në vetëm 100 lekë të reja, (1 mijë lekë të vjetra). Që do të thotë se me një pagesë 1 mijë lekë të vjetra fshihet gjithë shuma e kamatëvonesës. Këto biznese, që janë 4097, përfitojnë kështu, në mënyrë të drejtpërdrejtë, 2.9 milionë dollarë dhe vlera mesatare e përfitimeve për çdo subjekt llogaritet në 700.945 lekë të vjetra.

Kusht për përfitimin është paraqitja në sportelet e OSHEE-së të dokumentit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që subjekti gëzon statusin e biznesit të vogël dhe gjithashtu përditësimi i të dhënave të kontratës të furnizimit me energji elektrike, që me të paguar 100 lekëshin e ri e kthen çdonjërin nga ato subjekte në një pagues të rregullt, normal, si të gjithë të tjerët, pa asnjë detyrim të prapambetur.

2314 subjekte të tjera të kategorisë biznes, që kanë një vlerë detyrimi të prapambetur më të vogël se 5 mijë lekë (50 mijë lekë të vjetra) dhe kanë detyrim për kamatëvonesë më të lartë se 5 mijë lekë (50 mijë lekë të vjetra), do të përfitojnë nga reduktimi i kamatëvonesës në një masë vetëm 1 mijë lekë të reja. Pra, me 1 mijë lekë të reja fshin të gjithë kamatëvonesën. Kjo ka një efekt financiar prej 1 milion e 150 dollarësh dhe vlera mesatare e përfitimit llogaritet në 497 mijë lekë për çdonjërin nga këto subjekte.

Kushti është po ai, paraqitja në sportelet e OSHEE-së me dokumentin nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që vërteton se subjekti gëzon statusin e biznesit të vogël dhe përditësimi i kontratës me pagesën 1 mijë lekë të reja, për të fshirë gjithë kamatëvonesën.

Kjo është historia e suksesit të reformës, që si në çdo reformë ka pasur dhe ka kostot, dhimbjet, por qoftë kostot, qoftë dhimbjet nuk janë qëllim në vetvete, por janë pasojë e një operacioni që synon që një organizëm të degraduar dhe rëndom të marrë peng nga kanceri i keqqeverisjes, keqadministrimit ta kthejmë në një organizëm jetik dhe nga kjo të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët.

Këta janë përfituesit e sotëm.

Do të ketë edhe të tjerë.

SHKARKO APP