Raporti 2017, Prokuroria: U rritën procedimet për korrupsion, Vlora qarku më i kriminalizuar

Prokurori i Përgjithshëm ka depozituar raportin mbi gjendjen e përgjithshme të kriminalitet për vitin 2017 në Kuvend. Sipas raportit, pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale është 96.6% për vitin 2017. Raporti rrëmbimi ose mbajtja peng e personit është 4.5% për vitin 2017. Dhuna në familje zë peshën e rreth 89 %. Sa i përket keqtrajtimit të të miturve, nga të dhënat statistikore vihet re tendenca në rritje prej 34,4 %. Bazuar te raporti për vitin 2017, ku prokuroria drejtohej nga Adriatik Llalla, pasi Arta Marku e mori detyrën në dy javët e fundit të vitit, procedimet për korrupsion janë rritur me 69.9%, ndërsa gjithsej janë 40911 procedime penale. 39% e procedimeve janë për narkotikët, 11% për korrupsion dhe 24% e procedimeve për krimet kundër personit. Për sa i përket qyteteve, Vlora dhe Gjirokastra janë në krye për kriminalitetin në raport me popullsinë. Në 2017 numri i procedimeve i regjistruar në Tiranë është 32.63%, në Durrës janë regjistruar 7.70%, Vlorë 7.40%, në Elbasan janë regjistruar 7.23%, në Shkodër, 6.32%. Pra, Vlora dhe Gjirokastra janë qytetet më të kriminalizuara, ndërsa Dibra dhe Elbasani kanë nivelin më të ulët të kriminalizimit.

Lufta kundër korrupsionit

Gjatë vitit 2017 janë filluar 12 procedime penale, ku veçohen 3 procedime penale për nenin 260 “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe 6 procedime penale për nenin 319/ç “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Nga prokuroria për Krime të Rënda janë kryer hetime proaktive në kuadër të 11 procedimeve penale për vepra të korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetërorë. Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2017 ka patur një rritje prej 69,6 % të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit, në krahasim me vitin 2016 dhe rritje prej 80,8 % të procedimeve të dërguara në gjykatë në krahasim me vitin 2016. Për vitin 2017 për veprën penale të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, organi i prokurorisë ka regjistruar 124 procedime penale, që përbën rritje me 2,6 herë ose 163,8 % në krahasim me vitin 2016. Janë dërguar në gjykatë 106 procedime penale, ndërsa në vitin 2016 rezultojnë 37 procedime të dërguara në gjykatë. Nga të dhënat statistikore në vitin 2017, vërehet një tendencë në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, prej 41 % në krahasim me vitin 2016 dhe tendencë në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” prej 13 %. Gjatë vitit 2017 janë regjistruar 3 procedime për veprën penale të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndaj 2 procedimeve të regjistruara në vitin 2016. Sa i përket nenit 260 të Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, rezulton se janë regjistruar 13 procedime penale përkundrejt 11 procedimeve të regjistruara në vitin 2016 për këtë vepër dhe janë dërguar 2 procedime penale në gjykatë. Sa i përket korrupsionit në sistemin e drejtësisë, për veprën penale të parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, organi i prokurorisë ka regjistruar 1 procedim penal me 4 të pandehur, ndërkohë që në vitin 2016 rezultojnë 3 procedime penale të regjistruara. Për veprën penale të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, organi i prokurorisë ka regjistruar 14 procedime penale me 5 të pandehur, ndërkohë që në vitin 2016 janë regjistruar 18 procedime me 10 të pandehur. Është dërguar në gjykatë 1 procedim penal me akuzë ndaj 1 të pandehuri dhe është dënuar 1 i pandehur për vitin 2017 për këtë vepër penale. Është e rëndësishme të përmendet se në vitin 2017 u dënua edhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë për këtë vepër penale, çështje e juridiksionit fillestar e cila u hetua dhe dërgua në gjyq nga Prokuroria e Përgjithshme në vitin 2016.

Swiss Digital Desktop Reklama

Krimi i organizuar dhe krimet e rënda

Swiss Digital Mobile Reklama

Sa i përket treguesve statistikorë, nga të dhënat e vitit 2017, rezulton se janë regjistruar 17 procedime penale me 34 të pandehur për vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, 16 nga këto procedime për nenin 333/a, “Grupi i strukturuar kriminal”, ndërsa në vitin 2016 rezultojnë 17 procedime të regjistruara për këtë vepër penale. Ndërkaq në vitin 2017, 8 procedime penale me 46 të pandehur janë dërguar në gjykatë dhe janë dënuar 30 të pandehur për këto vepra penale. Sa i përket politikës penale të ndjekur, në caktimin e masës së dënimit, në të gjitha rastet është kërkuar dënimi me burg, ku 63,3 % e përbëjnë kërkesat për dënimin në maksimumin e sanksionit të parashikuar për veprën penale konkrete, 10 % kërkesa për burgim të përjetshëm, 13,3 % kërkesa për dënim në marzhin e mesatares së sanksionit të parashikuar nga ligji dhe pjesa tjetër prej 13,4 % janë kërkesa për dënimin në minimumin e parashikuar nga ligji. Lidhur me veprat penale në fushën e narkotikëve, të dhënat statistikore tregojnë se, procedimet e regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” janë rritur nga 1034 në 1193 procedime, ose e shprehur në përqindje 15,4 %, ndërsa procedimet e dërguara në gjykatë për këtë vepër janë rritur 51,3 %. Ndërsa procedimet e regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal “Kultivimi i bimëve narkotikëve” janë ulur nga 1606 në 375 procedime, ose e shprehur në përqindje 76,7 %. Lidhur me veprën penale të parashikuar nga neni 283/a “Trafikimi i narkotikëve” numri i procedimeve të regjistruara është 196 që përbën rritje me 26,5 % krahasuar e një vit më parë, ndërkohë që janë dërguar në gjykatë 79 procedime penale ose 49 % më shumë.

Hetimet pasurore

Në zbatim të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar, Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjatë vitit 2017, ka paraqitur në gjykatë 4 kërkesa për

sekuestrim pasurie dhe 7 kërkesa për konfiskim pasurie, ku pasuritë kanë qenë apartamente, truall, llogari bankare në vlerë të disa milionë eurove.

Lufta kundër pastrimit të parave

Gjatë vitit 2017 krahas rritjes së numrit të procedimeve penale të regjistruara, janë rritur edhe numri i procedimeve të dërguara në gjykatë për vepra penale që lidhen me pastrimin e parave. Konkretisht, janë regjistruar 320 procedime penale dhe janë dërguar për gjykim 36 procedime penale për nenet 287, 287/a e 287/b të Kodit Penal. Peshën kryesore në këtë grup në nëntë mujorin e parë 2017 e zë vepra penale e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, me 96,6 % të procedimeve të regjistruara. Procedimet e regjistruara për këtë vepër gjatë vitit 2017, rezultojnë me rritje prej 36 % në krahasim me vitin 2016. Po kështu rezulton tendencë në rritje prej rreth 3,9 herë e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë për këtë vepër penale gjatë vitit 2017, nga 8 në 31 procedime.

Dhuna ndaj të miturve dhe në familje

Sa i përket ndjekjes penale të veprave penale ndaj fëmijëve e familjes në vitin 2017, treguesit statistikorë tregojnë se janë regjistruar 1469 procedime penale për vepra kundër fëmijëve martesës dhe familjes, të parashikuara nga Seksioni IX i Kodit Penal dhe 1105 procedime penale janë dërguar për gjykim. Dhuna në familje zë peshën më të lartë të procedimeve në këtë grup veprash, rreth 89 %, e konkretisht 1310 procedime penale të regjistruara. Prokuroria ka hetuar me shpejtësi e përparësi këtë vepër penale ku konstatohet se 1057 procedime penale janë dërguar në gjykatë. Sa i përket keqtrajtimit të të miturve, nga të dhënat statistikore vihet re tendenca në rritje prej 34,4 % e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal “Keqtrajtimi i të miturit”, në vitin 2017 në krahasim me vitin 2016, ku janë regjistruar 43 procedime penale dhe janë dërguar 19 procedime penale për gjykim. Një vepër tjetër e rëndë, e cila pavarësisht dënimit të ashpër të aplikuar, vazhdon të jetë e lartë është ajo e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare. Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2017 janë regjistruar 25 procedime penale ndaj 26 procedimeve të regjistruara për vitin 2016 (ulje e lehtë prej 3,84 %), për këtë vepër penale. Sa i përket kërkesave për dënim për këtë vepër, nga prokurorët është kërkuar në 5 raste burgim i përjetshëm dhe në 3 raste burgim në maksimumin e marzheve me burgim të parashikuar nga ligji për këtë vepër, kjo për shkak edhe të gjykimit të shkurtuar.

Përgjimet

Gjatë vitit 2017 në saj të kësaj teknike hetimore është arritur në arrestimin/ndalimin e 475 personave të dyshuar për vrasje, trafikim të lëndëve narkotike, korrupsion, trafikim të armëve, e vepra të tjera, duke parandaluar kështu pasoja të rënda. Në disa raste të tjera mbi të dhënat e përfituara gjatë interceptimit, është mundësuar regjistrimi i procedimeve penale kryesisht për veprën penale të korrupsionit të personave që kryejnë funksione publike. Në shifra të përgjithshme, gjatë vitit 2017 janë ekzekutuar gjithsej 2429 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, aplikuar në lidhje me 723 procedime penale. Nga këto, 204 procedime penale kanë qenë në kuadër të hetimeve të prokurorisë për krime të rënda. Përsa më sipër është mundësuar interceptimi për 3575 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.

 

Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme

Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2017 ka patur një rritje prej 69,6 % të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit, në krahasim me vitin 2016.

Janë ndjekur gjithsej 40 911 procedime penale

39 % narkotikët

24 % krimet kundër personit

11 % korrupsioni

 

Në vitin 2017 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar prokuroria;

  1. Tiranë me 32,63 %
  2. Durrës që ka regjistruar 7,70 %
  3. Vlorë 7,40 % të numrit total të procedimeve të regjistruara,
  4. Elbasan që ka regjistruar 7,23 %
  5. Shkodër që ka regjistruar 6,32 % etj…

 

Vepra penale me rritje

Rritje prej 40,7 % të numrit të procedimeve të regjistruara për grup veprat e falsifikimit të dokumenteve.

Ka një rritje prej 27 % të numrit të procedimeve të regjistruara për vepra penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale

Mashtrimet me 18 %

Rritje të lehtë prej 0,27 % të numrit të procedimeve të regjistruara për “Vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes”

Vjedhja rritje me 3 %

Vepra penale me ulje

“Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” i Kodit Penal, ka një ulje prej 37,9%. Në vitin 2017 ka një ulje prej 14,8 % të numrit të procedimeve të regjistruara për “Krime kundër jetës të kryera me dashje” 98,6 % e tyre janë meshkuj (nga të cilët 7 % janë të mitur) dhe vetëm 1,4 % janë femra (ndër të cilat nuk rezultojnë të mitura). Ka ulje prej 6,4 % të numrit të procedimeve të regjistruara për krime seksuale

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?