Raporti/Gjykatat nuk japin informacion

Qendra Europiane prezantoi, më datë 10 dhjetor, raportin “Monitorimi i gjykimeve administrative në gjykatat administrative të shkallës së parë dhe në Gjykatën e Apelit Administrativ Janar – Qershor 2018”. Ky raport vjen si produkt i projektit “Standardet e procesit të rregullt ligjor si kusht për funksionimin e shtetit të së drejtës”, pjesë e skemës së granteve të projektit “Përfshirja e Shoqërisë Civile për një sistem drejtësie funksional dhe të hapur në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Save the Children dhe Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.

Raporti i monitorimit të gjykatave është përgatitur në bazë të raporteve të përmuajshme të dërguara nga monitoruesit lokalë në: Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Durrësi, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, si dhe Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë. Gjykatat janë monitoruar në kuadër të standardeve të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – E drejta për proces të rregullt – duke përfshirë aspekte si aksesi në gjykata, kohëzgjatja e gjykimit të çështjes, mbrojtja me përfaqësues ligjor, arsyet për shtyrjen e seancave gjyqësore; etj.

Disa nga gjetjet kryesore të raportit janë: Në lidhje me aksesin në gjykatat administrative, mund të themi se përgjithsisht gjykatat janë të vështira për t’u aksesuar nga persona të moshuar ose me aftësi të veçanta, për shkak godinat janë disa katëshe, të pa pajisura me rampa apo ashensorë. Numri i sallave të gjykimit mbetet i ulet (1-2) për gjykatë, dhe seancat mbahen kryesisht në zyrat e gjyqtarëve. Sa i takon informacionit për çështje dhe seanca, ai është i paraqitur në portalet online, por jo gjithmonë në kohë. Ndërkohë tabelat informuese brenda hyrjes kryesore të gjykatës nuk janë gjithmonë të rifreskuara, dhe mungon një model njëhsuar me listat e seancave. Megjithatë këtu duhet theksuar se përgjithsisht gjyqtarët dhe i gjithë stafi i gjykatave janë treguar mjaft bashkëpunues me monitoruesit për çdo pyetje apo kërkesë për informacion drejtuar nga ta. Në vijim, sa i takon shpejtësisë dhe kohëzgjatjes së gjykimit, përgjithsisht çështjet zgjidhen me 2 ose 3 seanca, si dhe mbizotëron përqindja e çështjeve të zgjidhura për një muaj nga kalimi në seancë gjyqësore të çështjes.

Swiss Digital Desktop Reklama

Të pakta janë çështjet e zgjidhura me vendim përfundimtar përtej 3 muajve. Në lidhje me arsyet për shtyrjen e seancave gjyqësore, gjetjet tregojnë së përgjithsisht është pala e paditur, pra shteti, që bëhet shkak për shtyrjen e seancave dhe në disa raste shtyrja bëhet edhe për caktim eksperti. Sa i takon mbrojtjes me përfaqësues ligjor, rreth 85% e rasteve pala paditëse (jo shtet) është përfaqësuar me avokat, ndërsa në rastin e palës së paditur (shtetit) përqindja më e lartë e mospërfaqësimit të institucioneve me përfaqësues ligjor është në Gjykatën Administrative të Gjirokastrës. Së fundmi, në lidhje me dhënien e vendimit përfundimtar në shkallën e parë të gjykimit administrativ, mbizotëron Gjykata Administrative Durrës me më shumë vendime (71.88%) në favor të palës paditëse, ndërsa Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë mban përqindjen më të lartë (65.63%) të vendimeve të dhëna kundër palës ankuese. Sa i takon ankimimit të vendimeve, numrin më të lartë e mban Gjykata Administrative e Vlorës, ku 18 çështje nga 32 të monitoruara, i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjithashtu në raport ishin përfshirë disa rekomandime/sugjerime, ndër të cilat mund të përmendim: – Nevoja për rritjen e numrit të gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Apelit, për t’ju përgjigjur volumit të çështjeve të paraqitura pranë saj; – Përmirësimi i portaleve online të gjykatave, duke mundësuar përditësimin e tyre në kohë reale; – Pjesëmarrje më aktive e palës së paditur gjatë procesve gjyqësore; – Përmirësimi i njohurive dhe kapaciteteve të litiguesve mbi procesin gjyqësor administrativ; – Ofrimi i trajnimeve vazhduese nga Shkolla e Avokatisë për avokatët e rinj dhe ata ekzistues; – Mundësia e një ndryshimi ligjor të afateve kohore të parashikuara në ligjin për Gjykatat Administrative (LGJA), për gjykimin dhe vendimmarrjen në apel; – Gjetja e një ekuilibri në mënyrë që të ruhet ritmi i gjykimit dhe cilësia e procesit gjyqësor.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin Kryetarët e gjykatave administrative, anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, përfaqësues nga Avokatura e Shtetit, avokatë, magjistratë të rinj si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Të pranishmit zhvilluan diskutime interaktive në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e raportit, duke vlerësuar punën e Qendrës Europiane si shumë të rëndësishme në aspektin e përmirësimit të kushteve dhe shërbimeve që gjykatat ofrojnë.

Përfaqësues të Shkollës së Magjistraturës sugjeruan përfshirjen e këtij raporti si material trajnimi për trajnimet vazhduese që Shkolla e Magjistraturës zhvillon me studentët e saj, si një udhëzues me të dhëna praktike mjaft të vlefshme që paraqesin situatën aktuale të gjykatave administrative në Shqipëri, në lidhje me nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?