Raporti i INCB/ Shqipëria furnizues i BE me kanabis, rrugët e trafikimit dhe si u ul çmimi për kilogram
Rruga ballkanike dominon korridorin e trafikut të drogës në Europën Lindore. Kjo thuhet në raportin e Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve, i publikuar në fillim të marsit dhe që përfshin të dhënat e 2017-ës.
Konkluzionet në këtë raport bazohen në të dhënat e mbledhura mbi lëndët narkotike, substancat psikotrope, perkursorët dhe përbërësit kimikë të përdorur në prodhimin e paligjshëm të drogave.
Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë ngushtësisht me ato në Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni, Turqi, Kosovë dhe Malin e Zi.
Sa i përket kanabisit që përfundon në vendet e BE-së, ai shpesh kultivohet si brenda tyre, ashtu dhe përmes trafikut nga rajone të tjera.
Shqipëria cilësohet si burimi kryesor i kanabisit për vendet e BE. Referuar raportit, për 2016-ën situata e kanabisit karakterizohej nga rritja e sipërfaqeve të kultivimit, shoqëruar me zgjerimin e rrugëve detare për trafikim dhe përpjekjet përmes rrugëve ajrore. Për shkak të sasisë të tepër të prodhuar, çmimi i kanabisit në Shqipëri ra në një nivel prej 100-400 eurosh për kilogram.
Sasia e kanabisit të sekuestruar në Shqipëri u rrit me 164% nga viti 2015 në vitin 2016, duke arritur një total prej 30 tonësh në këtë të fundit, krahasuar me 11.3 tonë të sekuestruara në vitin paraardhës. Gjatë kësaj kohe, çmimi i kanabisit të prodhuar në ferma ra nga 600-1300 euro për kg në vitin 2015, deri në 100-400 euro për kg në 2016-n.
Në vitin 2016, kultivimi i kanabisit në ambiente të mbyllura u rrit shumëfish e kjo u raportua nga disa vende, si Islanda, Letonia, Lituania, Holanda, Polonia, Rumania dhe Sllovakia.
Sa i përket trafikut të heroinës, transporti kryhet kryesisht përmes rrugëve tokësore, me synimin për ta shitur atë në tregjet e Europës Qendrore e Perëndimore, me kamionë, autobusë apo automjete private.
Greqia dhe Italia janë destinacionet kryesore të heroinës së trafikuar. Sipas statistikave qeveritare mbi sekuestrimin e heroinës në vitin 2016, shihet një rritje e sasisë së sekuestruar me 57.3 kg (rritje 55%) krahasuar me 36.7 kg të kapura në vitin 2015.
Çmimet me shumicë e pakicë mbeten thuajse identike me vitin paraardhës: 1 kg heroinë varion nga 16 mijë euro në 18 mijë euro. Në vitin 2016, çmimi mesatar për një gram heroinë në rrugë ishte 22 euro, por pastërtia e saj në treg të zi varion nga 1 deri në 15 për qind.
Përsa i takon trafikimit të lëndëve opioide, ato nisen nga vendburimet si Afganistani, Pakistani dhe Republika Islamike e Iranit, tranzit përmes Turqisë, Ballkanit e përfundojnë në Europën Qendrore e Perëndimore.
Rruga kryesore mbetet ajo përmes Bullgarisë, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Sllovenisë dhe Austrisë, ndërsa një pjesë më e vogël trafikohet përmes Maqedonisë dhe Kosovës, zakonisht për magazinim dhe paketim.
Bashkëpunimi ndërkombëtar me kandidatë dhe vende potencialisht kandidate për në BE, si për shembull me Shqipërinë, Bosnjen, Serbinë dhe Maqedonisë, vijon fuqishëm duke asistuar dhe zhvilluar më tej sistemet e tyre të brendshme të interceptimit, bazuar mbi kornizat ndërkombëtar.
KOHA JONË SONDAZH



