Raporti i KE-së për Serbinë, Kamberi: Drejtësi për shqiptarët e Luginës

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka komentuar raportin e Komisionit Evropian për Serbinë. Kamberi tha se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë për vitin 2024 sjell një pasqyrë të rëndësishme të situatës së pakicave, me fokus të veçantë mbi sfidat dhe problemet që përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ky raport sipas Kamberit e konfirmon atë që e kanë ngritur vazhdimisht. ”Raporti i Serbisë 2024 është Thirrje për Drejtësi dhe Barazi për Shqiptarët e Luginës së Preshevës. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë në vitin 2024 sjell një pasqyrë të rëndësishme të situatës së pakicave, me fokus të veçantë mbi sfidat dhe problemet që përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ky raport konfirmon atë që kemi ngritur vazhdimisht: Mungesën e zbatimit të vërtetë të të drejtave tona, pavarësisht ekzistencës së kornizës ligjore”, shprehet Kamberi.

Postimi i plotë

Raporti i Serbisë 2024 është Thirrje për Drejtësi dhe Barazi për Shqiptarët e Luginës së Preshevës. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë në vitin 2024 sjell një pasqyrë të rëndësishme të situatës së pakicave, me fokus të veçantë mbi sfidat dhe problemet që përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ky raport konfirmon atë që kemi ngritur vazhdimisht: Mungesën e zbatimit të vërtetë të të drejtave tona, pavarësisht ekzistencës së kornizës ligjore.

Pasivizimi i adresave dhe kontrollet policore Shqiptarët në Luginë përballen me kontrolle të rregullta mbi statusin e rezidencës që çojnë në “pasivizimin” e adresave, një veprim që rrezikon të na izolojë nga të drejtat bazë dhe qasja në shërbime shtetërore. Ky proces mbetet i paqartë dhe i paqartësuar për publikun, duke ngritur pyetje për transparencën e tij.

Përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet publike dhe polici. Raporti thekson nevojën urgjente për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike dhe policinë. Ky përfaqësim është thelbësor për të siguruar që zëri i komunitetit tonë të dëgjohet dhe që të kemi qasje të barabartë në vendimmarrje.
Arsim dhe kulturë në gjuhën amtare.

Tekstet shkollore në gjuhën shqipe mbeten të pamjaftueshme, ndërsa mësimi i gjuhës serbe për shqiptarët mbetet i papërshtatshëm dhe sfidues për studentët. Gjithashtu, qasja në ushtrimin e fesë dhe kulturës në gjuhën amtare është një e drejtë që ende nuk është përmbushur në nivel të mjaftueshëm. Media dhe publikimi në gjuhët edhe në gjuhën shqipe mungesa e shërbimeve publike të mjaftueshme në gjuhët e minoriteteve është një problem madhor. Kjo kufizon aksesin e komuniteteve në informacionin e domosdoshëm dhe lë nevojat e tyre të pazëshëme në sferën publike.

Gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi në media dhe nga deputetë. Fatkeqësisht, ka raste të gjuhës së urrejtjes kundër minoriteteve, duke përfshirë komunitetin shqiptar, në media dhe madje edhe nga disa deputetë. Ky fenomen rrezikon të përkeqësojë më tej marrëdhëniet dhe të inkurajojë ndjenjat ksenofobike. Ky raport nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si thirrje që Serbia të përmbushë detyrimet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të drejtave e pakicave, të veprojë në mënyrë transparente dhe të respektojë të drejtat e shqiptarëve si qytetarë të barabartë. Ne nuk do të heshtim! Të drejtat tona duhet të mbrohen, dhe zëri ynë do të dëgjohet.

SHKARKO APP