Raporti i Komisionit Europian, Vjosa Osmani: Kosova e ka prioritet anëtarësimin në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se vendi e ka prioritet anëtarësimin në BE dhe se askush nuk mund të ndalë vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për sundim të ligjit dhe për të mbrojtur integritetin e institucioneve. Ajo i ka bërë këto komente teksa ka pranuar raportin e Progresit të përpiluar nga Komisioni Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Osmani e ka mirëpritur rikonfirmimin e mbështetjes së Komisionit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, dhe ka thënë se liberalizimi është proces qenësor për ruajtjen e kredibilitetit të BE-së në raport me zbatimin e politikës së zgjerimit.

Ky raport përfshin gjetjet për të gjitha vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Në raportin e këtij viti është parë përparim i kufizuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian. Dokumenti është prezantuar nga Komisionari evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Komisioni Evropian ka theksuar edhe situatën në veri sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe sipas tij, situata në këtë pjesë është ende sfiduese. Bashkimi Evropian beson se Kosova ka disa nivele të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, ndonëse në faza të hershme.

SHKARKO APP