Raporti i PE për fake news, Kusari: Tejet i dobët, etiketime shumë të rënda për median që si ka të bazuara në fakte

Pak kohë më parë parë në faqen zyrtare të Parlamentit Europian doli një raport nga disa autorë, por asnjëherë nuk u mor vesh burimi i saktë se nga i kishin marrë informacionet përkatëse, ku Rtv Ora përmendej për fake news, lajme të rreme.

Referenca në këtë rast ishte publikimi i një statusi të kryeministrit Rama, i cili publikoi vetë një fake news, që ishte rasti i policëve në Algjeri që u shit si reagimi i policëve në kushtet e pandemisë në Spanjë.

Raporti për këtë arsye e vendos Rtv Ora në listën e televizioneve që prodhojnë fake news. Kjo na ka prekur si gazetar.

Avokatë të rëndësishëm kanë përgatitur një letër zyrtare pranë autoriteteve më të larta ku ka ardhur dhe një përgjigje që do të shikohet me kujdes.

Po çfarë është ky raport dhe çdarë mendon për të ekspertja e medias, Flutura Kusari, këshilltare ligjore e Qendrës Evropiane të Shtypit.

E ftuar në Tempora nga Sonila Meço në RTV Ora, Kusari e cilësoi një raport jashtëzakonisht të dobët, autorët e të cilit ose kanë marrë informacion nga google translate ose nuk kanë pasur kohën e nevojshme për t’iu përkushtuar si duhet hulumtimit.

Me shpresën se ky raport do të rishikohet nga PE, Kusari tha se raporti përmban etiketime shumë të rënda në kapitullin për Shqipërinë dhe Kosovën që nuk i ka të bazuara në fakte.

Kusari: Komitete të ndryshme të Parlamentit Europian rregullisht komisionojnë raporte nga ana e autorëve dhe instituconeve të ndryshme në mënyrë që ata të informohen. Çdo 5 vjet shpallet një tender nga PE ku hulumtues të ndryshme, fakultete dhe universitete të ndryshme aplikojnë që të prodhojnë hulumtime të ndryshme dhe pastaj kur këto komitete dëshirojnë të informohen për një temë të caktuar i marrin nga ai regjistër i cili krijohet gjatë kohës që shpallet tenderi.

Në rastin konkret komiteti AFET që merret edhe me marrëdhëniet ndërkombëtare komisionoi këtë grup të autorëve që të bëjnë një raport lidhur me dezinformimin dhe keqinformimin në vendet e Ballkanit. Unë e kam lexuar raportin dhe raporti synon të informojë parlamentarët.Është raport jashtëzakonisht i dobët, ai bën etiketime shumë të rënda në kapitullin për Shqipërinë dhe Kosovën që nuk i ka të bazuara në fakte.

Është thjesht një keqinformim për parlamentarët. Vjen nga disa autorë që nuk e kuptojnë kontekstin, nuk e dinë sesi funksionojnë mediat në Shqipëri dhe Kosovë dhe si duket janë bazuar në google translate, ose nuk kanë pasur kohë ti kushtojnë hulumtimimit ashtu si duhet. Ka pasur reagime të shumta dhe rruga e vetme që duhet të ndjekim është ti drejtohemi zyrtarisht komitetit AFET dhe të kërkojmë që të rishikohet.

Unë kam biseduar me disa njerëz që i njoh jo formalisht në PE dhe më kanë thënë që ekziston një mundësi që raporti të rishikohet dhe shpresojmë që këto etiketime të largohen nga raporti në mënyrë që mediat të mos dëmtohen pa pasur bazë faktike. Raporti dëmton por shpresoj që do të rishikohet. E di që në rastin tuaj kryeministri Rama do të shfrytëzojë çdo gjë që është e mundur të dëmtojë mediat.

SHKARKO APP