Raporti i PS: Kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Berishës jo e ndikuar politikisht
Anëtarët e PS në Këshillin e Mandateve i rekomandojnë Kuvendit që t’i heqin imunitetin Sali Berishës duke nënvizuar se kërkesa e SPAK nuk rezulton të jetë bërë në kushtet e një ndikimi politik. Në raportin e dorëzuar në Kuvend që do të votohet nesër, socialistët nënvizojnë se vendimet e Gjyaktave duhen respektuar, gjë të cilën Berisha nuk e ka bërë.
“Gjatë shqyrtimit të kërkesës nuk rezulton që kërkesa të jetë bërë në kushtet e një ndikimi politik apo të një natyre/ndërhyrje tjetër të padrejtë që të bjerë ndesh me interesat e drejtësisë.
Në mënyrë të përmbledhur, të pyetur nga anëtarët e Këshillit, nëse organi i akuzës është ndjerë i ndikuar nga ndonjë faktor për ushtrimin normal të funksioneve të veta, nëse deputeti është vënë në dispozicion të drejtësisë apo e ka penguar hetimin, nëse institucionet shtetërore apo subjekte të tjera e kanë penguar atë të realizojë detyrat e veta, përfaqësuesit e organit të akuzës u përgjigjën se referuar procesverbaleve të konstatimit të mbajtura nga oficeri i Policisë Gjyqësore/hetuesi në datat 06.11.2023, 20.11.2023, 04.12.2023, konstatohet se personi nën hetimin Sali Berisha nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para Policisë Gjyqësore dhe se organi i akuzës nuk ndihet nën presion për ushtrimin e funksioneve të veta, të cilat po i ushtron sipas ligjit dhe nuk ka asnjë sfond politik në punën e vet”.