Raporti, ISP: Legjislatura me vlerësimin më negativ është ajo e vitit 1996-1997 ndjekur nga ajo e periudhës 2013-2017
Aktualitet E Diel, 30 Gusht 2020 18:54
Prej 1991 parlamenti shqiptar ka zhvilluar 9 legjislatura me më shumë se 1200 deputetë dhe 10 parti parlamentare. Cila ka qenë legjislatura më e mirë, më cilësore dhe më përfaqësuese? Nostalgjik me të kaluarën e afërt dhe të zhgënjyer me të sotmen? Realistë apo emocionalë? Përmes anketimit të organizuar nga ISP qytetarët kanë zgjedhur: në vlerësimin për legjislaturat parlamentare dhe efikasitetin e tyre gjatë tranzicionit, shihet se nuk ka “konkurrencë” në diferencën që bën vlerësimi pozitiv për legjislaturën 1992-1996 (me 36%) pavarësisht se pjesa më e madhe e qytetarëve të përfshirë në anketim i përkasin moshave që nuk i kanë jetuar në detaje ato periudha kohore. Legjislatura e dytë parlamentare e periudhës postkomuniste rivalizohet lehtë nga periudha 2005-2009, që i përket mandatit të parë të rotacionit politik të tretë, parlament i cili në fakt ka pasur numër rekord grupesh parlamentare dhe ishte në tërësi produkt i skemave taktike elektorale. Pyetja lidhej edhe me klasifikimin e deputetëve më të aftë dhe përsëri këto dy periudha kanë kuotat më të larta, ku 1992-1996 bën diferencë të ndjeshme. Për informacion, legjislatura e vitit 1992 ishte produkt i një sistemi votimi miks, ku 100 mandate zgjidheshin në sistem mazhoritar dhe 40 në proporcional, ku kompensimi proporcional ishte balancues në favor të partisë së dytë politike të mazhoritarit. Në ato zgjedhje PD fitoi 92 nga 100 zona në mazhoritar, por PS mori 32 nga 40 mandatet në proporcional. Legjislatura aktuale krahasohet dhe merr të njëjtin vlerësim me legjislaturën 1991-1992, e cila ishte legjislaturë eksperimentale dhe ku PPSH kishte shumicën kontrolluese. Legjislatura me vlerësimin më negativ është ajo e vitit 1996-1997 ndjekur nga ajo e periudhës 2013-2017.
Raporti i plotë mund të lexohet këtu: