‘Raportimet sensacionale’ shkaktojnë traumë të dyfishtë për viktimat e abuzimeve seksuale
Ndërsa rastet e abuzimeve seksuale të të miturve gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë në median shqiptare, ekspertë dhe studiues theksojnë se raportimet janë larg etikës profesionale dhe rrezikojnë të shkaktojnë traumë të dyfishtë te viktimat.
Nga Nensi Bogdani
Rastet e shumta të abuzimeve seksuale me të mitur janë kthyer në kryefjalën e lajmeve gjatë muajit të fundit, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për etikën e raportimit dhe mbrojtjen e viktimave.
Në disa raste, raportimet gazetareske përfshijnë detaje që mund të çojnë në identifikimin e viktimave. Ndërkohë, raportime të tjera kanë në fokus sensacionin dhe jo ndërgjegjësimin apo orientimin e viktimave drejt mekanizmave të mbrojtjes.
Sipas psikologëve, raportimet mbi dhunën seksuale ndaj të miturve në Shqipëri janë larg etikës profesionale dhe rrezikojnë të shkaktojnë një traumë të dyfishtë te viktimat.
“Ka një traumë të dyfishtë tek viktimat e abuzimeve. Kjo vjen sepse media nuk trajton fenomenin e abuzimeve, por merret drejtpërdrejt me rastin,” thotë Borjana Dine, psikologe pranë Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA.
“Si rrjedhojë, psikologjikisht fëmijës i duket se trauma që ka kaluar është më e vogël se sa trauma që shtohet nga fakti që ky rast është mediatik dhe që çdokush ka marrë informacion,” shtoi ajo.
Ngjashëm edhe Ines Leskaj, drejtuese e Rrjetit Shqiptar të Fuqizimit të Grave (AWEN) thekson se detajet e ngjarjes që përdoren në raportimet e gazetarëve rizgjojnë traumën tek viktimat.
“Nëse i hedhim një sy të shpejtë raportimeve, vetëm një pjesë e vogël e tyre i përmbahen etikës profesionale dhe janë sensitive dhe duket sikur qëllimi kryesor është ‘scoop-i’”, i tha BIRN Leskaj, duke shtuar se kjo përforcon një mesazh aspak edukativ për audiencën.
“Është traumë e dyfishtë dhe nuk i ndihmon aspak viktimat dhe familjet e tyre të ndihen të sigurtë, të mbështetur dhe të kalojnë sa më lehtë traumën”, tha Leskaj për BIRN.
Sipas një investigimi të publikuar nga qendra MediaLook, në Shqipëri numërohen rreth 580 raste të abuzimeve seksuale me të mitur nga viti 2010 e deri më sot.
Elvin Luku, drejtues i qendrës MediaLook dhe autor i investigimit, i tha BIRN se raportimet e medias lidhur me këto raste i kushtojnë pak vëmendje fatit të viktimave të mitura dhe familjeve të tyre pasi aktualiteti ka kaluar.
“Nga të dhënat që unë kam, në zonat rurale apo në qytete, familja vendos të zhvendoset. Pra hallit të abuzimit të fëmijës i shtohet dhe halli i shpërnguljes,” tha Luku.
“Reporterët duhet të mendojnë për fatin e viktimave pasi sensacioni i ngjarjes të bjerë, çfarë ndodh me to pasi shpërthen skandali,” shtoi ai.
Bazuar në eksperiencën e tij me analizimet e vendimeve mbi rastet e pedofilisë që janë regjistruar në databazën e MediaLook, Luku nënvizon se mbrojtja e identitetit të viktimës dhe të të afërmve, kur ata nuk janë abuzuesit, është gjëja parësore.
Raportimi dhe informimi duhet të jetë sipas Lukut në interes të viktimës dhe në asnjë rast nuk duhet dëmtuar e ardhmja e kësaj të fundit.
“Detajet mund të ndahen në një moment të dytë, pas disa muajsh apo vitesh kur ngjarja të jetë “ftohur”, tha Luku, ndërsa shtoi se edhe kjo kërkon shumë profesionalizëm dhe specializim në raportim.
Sipas psikologes Dine, raportimet e pakujdesshme mund të shkaktojnë pasoja afatgjata psiko-emocionale te viktimat e dhunës seksuale, në vend që të ketë në fokus interesin e tyre dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë.
Media nuk i orienton fëmijët se si mund të marrin informacion për mbrojtjen e tyre,” tha Borjana Dine, duke shtuar se në fakt reporterët duhet të jenë zëri i ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit për këto raste.
“Janë të rralla raportimet ku në qendër vendoset interesi i viktimës, duke pasqyruar dhe ngjarjen reale,” përfundoi ajo./BIRN/