“Rasti i Fekajt sporadik, mos ngrini akuzat mbi gjithë Forcat Ajrore”

Një rast sporadik që nuk duhet të përgjithësojë punën e Forcave Ajrore të Shqipërisë. Kështu ka deklaruar Flamur Hadushi shefi i Forcave Ajrore sot në një dalje për shtyp duke kërkuar të mos hidhet baltë mbi punën e ushtrisë, një ditë pas zbulimit se piloti i cili gjeti vdekjen nga përplasja e helikopterit të ngarkuar me 1 ton hashash në Spanjë, ishte Majori i FA-së Sokol Feka.

Flamur Hadushi: “Nisur nga ngjarjet e ditëve të fundit ku një pjesëtar i Forcës Ajrore humbi jetën gjatë angazhimit në një aktivitet kriminal, Forca Ajrore e sheh të nevojshme të sqarojë opinionin publik se:

Ngjarja ku gjeti vdekjen major Sokol Feka është një ngjarje e rëndë, e cila flet për domosdoshmërinë e reformimit të thellë që kemi ndërmarrë në të gjitha nivelet e drejtimit të FA.


Është një ngjarje që flet po ashtu për rëndësinë e zbatimit të rregullave dhe procedurave për daljet jashtë vendit të personelit ushtarak si dhe nevojën që të rrisim më tej integritetin e të gjithë efektivëve tanë. 


Ky rast nuk mund të hedhë poshtë punën e personelit të Forcës Ajrore për realizimin e misionit të saj kushtetues, për sigurimin në bashkëpunim me NATO të sovranitetit ajror, të krijimit të kapaciteteve të vëzhgimit ajror, mbështetjen e strukturave të tjera të Forcave të Armatosura dhe veçanërisht në mbështetje të drejtpërdrejtë të popullit, në përballimin e emergjencave civile.


Gjatë kryerjes së këtij misioni, personeli i Forcës Ajrore, veçanërisht personeli pilot dhe teknik ka treguar shpirtin e vetëmohimit dhe sakrificës, duke sfiduar me profesionalizmin e tyre, kushtet ekstreme të motit, ditën, natën si dhe mbështetjen e trajtimin që ato kanë. Për kryerjen e këtij misioni ata angazhohen dhe zhvillojnë çdo ditë një program të ngjeshur fluturimi në përputhje me programet dhe standardet që aplikojnë vendet e NATO.


Por po ashtu askush, nuk ka të drejtën morale të ngrejë gishtin e akuzës ndaj gjithë Forcave të Armatosura dhe efektivave të saj, për shkak se një pilot i efektivëve tanë u gjet i përfshirë në veprimtari të paligjshme jashtë kufijve të vendit.


Si ushtarak i bëj thirrje që raste të tilla sporadike të mos përgjithësojnë punën tonë të përditshme dhe sakrificat e personelit të Forcave të Armatosura dhe që askush, të mos keqpërdorë veprimtarinë tonë në funksion të trajnimit, stërvitjes dhe ruajtjes së gatishmërisë luftarake.”

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama
 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?