Rasti i Orës një skenar si Agon Channel? Daci: Ora është markë, ishte në majë para sulmit. Fatura ekstremisht më e lartë

Frika për përsëritjen e skenarit të Agon Channel në rastin e televizioneve Ora dhe Ora News po shtohet ditë pas dite por juristi Jordan Daci paralajmëron për një kosto shumëfish më të madhe për xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Duke nënvizuar se Ora tashmë është një markë që përpara se të vihej në objektivin e sulmit të pushtetit ishte në majë, Daci i ftuar në Rtv Ora thotë se është në interesin publik dhe të vetë qeverisë të mos marrë përsipër kosto që nuk i takojnë.

Daci: Agon Channel e dimë sa na ka kushtuar por nëse do të përfundojmë si Agon Channel fatura do të jetë disa herë më e madhe. Ora News është markë sot. Agon Channel sapo ishte hapur, imagjinoni sa do të shkojë dëmshpërblimi për Ora News. Para se të sulmohej ishte drejt tendencës për të zënë vendin kryesor në mediat në Shqipëri, ishte drejt majës dhe kjo rrit faturën në mënyrën ekstreme. Interesi publik por edhe i qeverisë është të mos marrë përsipër kosto që nuk i takojnë.

Edhe Bordi i Rtv  Ora dhe Ora News ka folur për sulm  politik.

Daci: Medias nuk i thonë kot pushtet i katërt, shërben për të ekuilibruar manipulimin dhe të vërtetën, për të forcuar të vërtetën. Media është instrument i shëndoshë dhe për vetë qeveritë demokratike.Tek ne meqenëse nuk duam të korrigjohemi dhe mendojmë se jemi të pagabueshëm e kthejmë median në një armik. Sulmohet dhe përdoren të gjitha mënyrat për ta sulmuar.

Një çështje e dytë shumë e rëndësishme është se Agjencia për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara të Shqipërisë nuk ka pasur asnjëherë asnjë prona të kësaj madhësie dhe as të kësaj natyre.

Në fakt Administratori i kësaj Agjencie po e kryen detyrën vetëm në dy televizionet nga 26 pasuri të sekuestruara në total.

Daci: Është dy herë problematike, në aspektin e ndikimit në lirinë e medias sepse media funksionon në mënyrë të pavarur. Administratori ka për detyrë të mbrojë pavarësinë tuaj. Së dyti, çdo dëm që i bëhet pasurisë nga dita kur është vendosur ky administrim deri në fund do të paguhet nga ne, taksapaguesit, nga  lekët e shtetit. Dëmet do të shlyhen nesër, pasnesër. Administrimi nuk duhet të kthehet në rrënim. Nuk është çështje vetëm e Ndroqit, por janë qindra familje që ushqehen nga këto biznese, qindra milionë taksa që shteti merr nga këto biznese. Çështja komplekse, duhen gjetur modalitete brenda hapësirave ligjore jashtë skemës klasike të administrimit, kjo skemë ka vetëm një përfundim të mundshëm falimentimi dhe rrënimi i këtyre bizneseve.

SHKARKO APP